Maqedoni
Kumanovë, shkrirja e borës krijoi “lum” para shkollës
06.02.2017 18:04
Si pasojë e shkrirjes së borës, pjesa dërmuese e rrugëve në Kumanovë janë shndërruar në lumenj, duke vështirësuar lëvizjet nëpër to...

Gjendje mjaft e rënduar paraqitet në rrugën para objektit të shkollës së mesme ekonomike, paralelet në gjuhën shqipe.
Gjendja e këtillë nxori në protesta nxënës dhe prindër, duke kërkuar nga autoritetet që të ndërhyjnë organizatat kompetente për t’iu mundësuar nxënësve dhe profesorëve kushte normale për hyrje – dalje në shkollë.
“Ne, nxënësit e Shkollës së Mesme “Pero Nakov” kemi dalë të shprehim revoltën dhe pakënaqësinë tonë. Shkolla jonë disa herë ka kërkuar që kjo gjendje të përmirësohet”,- theksoi një nxënës.
“Kisha apeluar deri te autoritetet komunale, por edhe ato qendrore, që të gjejnë zgjidhje, sepse çdo herë të njëjtat probleme, nuk mund të kalojmë rrugën”,- theksoi një nxënës.
“Kushtet momentale të kësaj shkolle janë këto që po i shihni, unë kam ardhur këtu që ta marr vajzën nga këtu për në shtëpi. Unë, edhe pse person invalid, po jam i detyruar ta marr vajzën ta kalojë rrugën. Institucionet duhet ndërmarrin masa në lidhje me këtë problem”,- u shpreh një prind.
Drejtori i shkollës, Elham Ademi, deklaroi se personalisht i ka njoftuar autoritetet lokale rreth këtij problemi dhe jo vetëm tani, pasi që problemi i njëjtë është prezent sa herë që ka të reshura të shiut.
“Ne në momentin që pamë gjendjen e shkaktuar nga ujërat, gjendje e cila i pengon jo vetëm nxënësit, por edhe komunikacionin, me një fjalë nxënësit nuk kanë mundësi të hyjnë në shkollë, intervenuam në N. P. Ujësjellësi” dhe të njëjtit na premtuan se do vijnë e ta rregullojnë këtë problem",- deklaroi drejtori i Shkollës së Mesme Ekonomike, Elham Ademi.
Nxënësit dhe drejtoria e shkollës, krahas këtij problemi, ankohen edhe për një sërë problemesh të tjera nga sfera e infrastrukturës.
NEXHAT AQIFI
