Gazetari i Fox News: Putin është vrasës, Kritika ndaj Trumpit nga senatorë republikanë, reagon Kremlini: Fox News të kërkojë falje
Presidenti amerikan, Donald Trump, është ballafaquar me kritika nga republikanët dhe demokratët....

Presidenti amerikan, Donald Trump, është ballafaquar me kritika nga republikanët dhe demokratët për komentet e tij me të cilat e mbrojti presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste televizive.
Në intervistën e transmetuar mbrëmë, gazetari i rrjetit FOX News, Bill O’Reilly, e pyeti presidentin Trump se a e respekton Putinin. Kur Trump tha se e respekton, gazetari iu kundërvu, duke thënë se “Putin është vrasës”. Por, Trump është përgjigjur: “ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës” dhe e ka pyetur gazetarin “çka mendoni, vendi ynë është aq i pafajshëm?”.
Këtë çështje e ka komentuar lideri republikan në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell.
“Nuk mendoj se ekziston barazi me mënyrën se si rusët e udhëheqin vetveten dhe mënyra me të cilën këtë e bëjnë Shtetet e Bashkuara”,- tha McConnell.
“Ai është ish-agjent i KGB-së, bandit, nuk është zgjedhur në mënyrën që pjesa më e madhe e njerëzve e konsiderojnë zgjedhje kredibile”,- i tha senatori McConnell rrjetit CNN.
Edhe senatori tjetër republikan, Ben Sasse, i ka kritikuar komentet e presidentit amerikan. “Nuk ka ekuivalencë morale ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit me dashurinë më të madhe për liri në histori të botës, dhe banditëve vrasës, që janë në mbrojtje të nepotizmit të Putinit”,- i tha Ben Sasse rrjetit televiziv, ABC.
Por, Kremlini ka reaguar ndaj gazetarit të rrjetit FOX News, Bill O’Reilly, duke theksuar se ai duhet të kërkojë falje për atë që Moska ka vlerësuar se janë komente “të papranueshme” të një gazetari të këtij kanali lidhur me presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin.
Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit Putin, tha se komentet e gazetarit në fjalë se Putini është “vrasës” janë “ofenduese dhe të papranueshme”. Ai tha se Kremlini do të dëshironte që nga Fox News të “pranonte një kërkim falje nga presidenti”.
