“Amnesty International” - raporti për Sirinë: 13.000 të burgosur janë varur në burgun Saydnaya
“Amnesty International” ka publikuar një raport tronditës...

“Amnesty International” ka publikuar një raport tronditës, teksa pretendon se në një burg të Sirisë janë vrarë rreth 13.000 persona, të cilët janë ekzekutuar në mënyra të ndryshme, forma më e zakonshme e të cilave ka qenë varja.
Viktimat janë nga radhët e forcave rebele që kanë kundërshtuar vazhdimisht qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad, por ndër ta përfshihen edhe qytetarë të thjeshtë, tregohet në dokument.
“Amnesty International” thekson se ekzekutimet janë kryer nga shtatori i vitit 2011 e deri në dhjetor të vitit 2015 me intervale të përjavshme dhe janë urdhëruar nga qarqet më të larta të qeverisë së Sirisë.
“Amnesty International” pretendon se të dhënat janë marrë pas intervistimit të 84 personave, ku përfshihen gardianë të burgut, të burgosur, por edhe zyrtarë.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria siriane akuzohet për torturë dhe vrasje të të burgosurve. Megjithatë, këto akuza janë mohuar vazhdimisht nga qeveria e Sirisë, e cila thekson se çdo gjë është pjesë e propagandës perëndimore për të dëmtuar imazhin e presidentit të vendit, Bashar al-Assad.
Raporti i fundit i “Amnesty International” është mjaft tronditës, pasi më herët kjo organizatë kishte përllogaritur se numri total i personave të vrarë në burgje ishte 17.723.
Në rast se kësaj shifre i shtohen edhe 13.000 viktima që janë zbuluar së fundmi, numri total arrin në 30.000. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
