Vazhdojnë protestat në Rumani, opozita nis mocion mosbesimi për qeverinë
Qeveria socialdemokrate në Rumani ka bërë thirrje për qetësi, pasi mijëra persona kanë protestuar sërish në Bukuresht, duke kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e qeverisë...

Por, opozita rumune ka përpiluar një mocion mosbesimi për qeverinë, i cili do të votohet në parlament ditën e mërkurë.
Protestat kanë vijuar edhe pas tërheqjes së dekretit të qeverisë, i cili parashikonte mbrojtjen e politikanëve nga ndjekja penale për korrupsion. Protestuesit mbetën të pakënaqur në lidhje me një variant të rishikuar të projekt-ligjit, i cili pritet të shkojë së shpejti në parlament dhe që, sipas tyre, mund të përmbajë elemente të njëjtë të dekretit të shfuqizuar, por të paraqitura në një formë tjetër.
Tubimet masive janë më të mëdhatë që nga rënia e komunizmit në Rumani, me pjesëmarrjen e mbi 500 mijë protestuesve që çdo natë ndezin telefonat e tyre për t’i përkujtuar qeverisë se populli i vëzhgon.
Fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të vendosë gjatë javës mbi ligjshmërinë e dekretit origjinal.
