Selanik, çaktivizohet bomba 250 kg, 50 mijë persona të evakuar
Një bombë e Luftës së Dytë Botërore e gjetur në Selanik, ka detyruar autoritetet të planifikojnë zbatimin e një plani evakuimi...

Një bombë e Luftës së Dytë Botërore e gjetur në Selanik, ka detyruar autoritetet të planifikojnë zbatimin e një plani evakuimi të 50. 000 banorëve nga tre bashki në pjesën perëndimore të qytetit ditën e diel, për t’u dhënë mundësi specialistëve të çaktivizojnë bombën.
Bomba është gjetur në një thellësi prej 5 metrash gjatë punimeve për zgjerimin e një grope të depozitës së një pike karburanti në dalje të qytetit.
Për fat të mirë, ekskavatori nuk e ka prekur bombën për 4 cm, përndryshe pasojat e shpërthimit do të mund të ishin të paparashikueshme.
Bomba ka një peshë prej 250 kg dhe ka ende siguresën në pjesën e pasme të saj.
Për arsye sigurie, gjatë çaktivizimit dhe transportimit të saj në një bazë ushtarake do të kryhet evakuimi i banorëve, që konsiderohet më i madhi që është bërë ndonjëherë në Greqi.
Organet e pushtetit lokal dhe policia kanë filluar të njoftojnë qytetarët e tre bashkive të zonës që ndodhën në një rreze prej 2 km larg vendit ku ndodhet bomba me anë të mediave, por edhe duke shkuar në çdo shtëpi që të largohen ditën e diel për disa orë nga shtëpitë e tyre me anë të mjeteve të shërbimit urban që do të ketë në dispozicion prefektura e Selanikut.
Gjithashtu do të hapen edhe palestra dhe vende të posaçme për të moshuarit dhe personat në nevojë.
