Botë
Dekreti për emigrantët, Apeli mbledh dëshmitë për urdhrin e Trumpit
07.02.2017 13:37
Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara do të dëgjojë sot dëshmitë për rivendosjen ose jo të urdhrit ekzekutiv të presidentit, Donald Trump...

Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara do të dëgjojë sot dëshmitë për rivendosjen ose jo të urdhrit ekzekutiv të presidentit, Donald Trump, i cili u ndalon hyrjen në ShBA të gjithë refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
Departamenti i Drejtësisë tha të hënën vonë se urdhri i gjykatës mbi bllokimin e ndalimit të udhëtimit duhet të ngushtohet dhe t’iu lejojë hyrjen vetëm atyre njerëzve që e kishin të garantuar, porse ndodheshin përkohësisht jashtë vendit, ose atyre që duan të largohen dhe të kthehen prapë në ShBA.
Trump këmbëngul se urdhri i tij është i nevojshëm për të mbrojtur kombin kundër terrorizmit, ndërsa kundërshtarët thonë se është jokushtetues, pasi ndalon hyrjen në bazë të fesë.
Një gjykatë në Sietëll ka pezulluar urdhrin, duke u hapur dyert njerëzve nga Irani, Iraku dhe vendet e tjera të prekura të hyjnë në ShBA. Por, vendimi i gjykatës në Sietëll mori një përgjigje të zemëruar nga Trump, i cili paralajmëroi se gjykatat mund t’i vënë amerikanët në rrezik.
