Ekonomi
Masat për kursimin e energjisë, vazhdojnë subvencionet nga Ministria e Ekonomisë
07.02.2017 14:43
Ministria e Ekonomisë vazhdon mbështetjen e qytetarëve që duan të përmirësojnë efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre....

Edhe këtë vit do të kompensohen shpenzimet e amvisërive që vendosin dritare PVC dhe të aluminit.
“Për vitin 2017 është siguruar një fond prej 20 milion denarë. Me këtë masë stimuluese do të kompensohet apo subvencionohet 50 për qind e shpenzimeve të bëra nga familjet, por jo më shumë se 500 euro në kundërvlerë në denarëve”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Vazhdon edhe subvencionimi i shpenzimeve për blerjen e kolektorëve diellorë për amvisëritë.
“Për vitin 2017, në bazë të interesit të rritur, kemi rritur edhe buxhetin për subvencionim nga 6 milion sa kemi ndarë, tani në gjithsej 16 milion denarë, apo gati trefish më shumë. Me këtë masë do të kthejmë një pjesë të shpenzimeve, apo 30% të investimeve totale, por jo më shumë se 300 euro për familje”,- u shpreh Kuçi.
Qëllimi i zbatimit të këtyre masave stimuluese është nxitja e pjesëmarrjes më të madhe të burimeve të ripërtërishme të energjisë, promovimi i efikasitetit energjetik dhe mbrojtja e mjedisit, duke marrë parasysh të gjitha angazhimet e ndërmarra nga Maqedonia, si një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
ERSAN PAJAZITI
