Maqedoni
Përballja me fatkeqësitë natyrore, sistem tejkufitar për paralajmërim të hershëm
07.02.2017 15:43
Për një përballje në kohë dhe në mënyrë më efikase me vërshimet, rrëshqitjen e dheut...

Për një përballje në kohë dhe në mënyrë më efikase me vërshimet, rrëshqitjen e dheut, thatësirën dhe valët e nxehta të cilat shpesh e godasin rajonin e Europës juglindore, nevojitet një sistem i ri tejkufitar për paralajmërim të hershëm.
Sistemi i ri do të paraqesë platformë të përbashkët, përmes së cilës meteorologët nga vende të ndryshme mund të punojnë së bashku në identifikimin e dukurive të rrezikshme, veçanërisht në raste kur dukuritë e tilla prekin më shumë vende njëkohësisht. Maqedonia do të investojë 3 milion euro në pajisjet për detektim të hershëm dhe paralajmërim të përkeqësimit të motit.
“Bëhet fjalë për sistemin softuer në të cilin sistemet e mëdha u ndihmojnë serviseve të vogla në aspektin e paralajmërimit të fenomeneve të ndryshme të katastrofave. Nuk bëhet fjalë vetëm për vërshime, por për të gjitha llojet e katastrofave, si zjarret, apo edhe katastrofat si pasojë e motit të keq në vendet bregdetare”,- deklaroi drejtori i DPHM-së, Oliver Romevski.
“Kushtet klimatike ndryshojnë nga viti në vit, ndodhin katastrofa natyrore të paparashikuara, si ato të vitit të kaluar në Shkup. Shpresoj që një sistem i tillë të japë rezultate”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Mihaill Cvetkov.
“Me këtë sistem fitojmë të dhëna nga qendrat botërore që deri më tani nuk i kanë pasur disa shërbime nacionale, gjithashtu fitojmë platformë të përbashkët të informacioneve të njëjta apo të ngjashme, pra të gjitha vendet do të kenë informacione si dhe shërbime më të përsosura meteorologjike”,- theksoi Ivan Daciq.
Projekti është financuar nga USAID dhe Zyra e ShBA-së për ndihmë gjatë fatkeqësive në vende të huaja dhe zbatohet nga Organizata botërore meteorologjike me mbështetjen e Institutit meteorologjik finlandez.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
