Largimi i të përmbyturve nga konviktet, Ibraimi: Nuk do t’i lëmë njerëzit rrugëve
Qeveria do të vendosë në mbledhjen e radhës nëse do të vazhdojë ose jo afatin....

Qeveria do të vendosë në mbledhjen e radhës nëse do të vazhdojë ose jo afatin e qëndrimit në qendrat e caktuara për strehim, si "Seniç" dhe "Partenie Zografski", të qytetarëve që ju shkatërruan shtëpitë nga vërshimet e vitit të kaluar.
Ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Ibrahim Ibrahimi, tha se propozimi i Ministrisë që ai drejton bazohet në raportet e reja të ekipeve të Qendrës për punë sociale, do të paraqitet para qeverisë, e cila do të thotë fjalën e fundit.
"Dërguam ekipe nga Qendra për punë sociale të shkojnë në vendngjarje dhe të konstatojnë se cilët nga personat kanë kushte për kthim, cilët jo, kështu që do të parashtrojmë propozim në Qeveri dhe ajo të vendosë çka më tutje. Qëllimi ynë nuk është t'i lëmë njerëzit në rrugë, por një numër i madh i tyre kanë marrë kompensim dhe ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të rifilluar rindërtimin e shtëpive. Megjithatë, ia lëmë Qeverisë të vendosë nëse dhe deri kur do ta vazhdojë afatin për vendosje”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Pas vërshimeve në gusht të vitit të kaluar, Qeveria vendosi për familjet të cilat mbetën pa kulm mbi kokë të ju sigurojë strehim në objekte të caktuara për periudhë jo më të gjatë se 180 ditë, derisa në ndërkohë ata kishin mundësinë të aplikojnë për mjete nga shteti për sanimin e dëmeve. (Leunora Kaliqi, TVM2)
