Ndotja e ajrit, transporti falas nuk e zvogëloi komunikacionin, OJQ-të: Pa i ndaluar veturat, nuk ka përmirësim të situatës
Transporti publik falas deri në pastrimin e ajrit të ndotur në Shkup mbushi autobusët urbanë me udhëtarë, por nuk e zvogëloi komunikacionin e zakonshëm rrugor...

Si ditëve të tjera, në të gjitha rrugët kishte komunikacion të dendur, ndërsa autobusët falas i shfrytëzuan kryesisht ata të cilët përdorin rregullisht transportin publik. Qytetarët nuk heqin dorë prej veturave.
“Ka njerëz të shtuar nëpër autobusët publik. Unë për herë të parë udhëtoj me autobus dhe mund të them se kishte shumë udhëtarë”,- deklaroi një qytetar.
“Mendoj se kjo është një iniciativë shumë e mirë. Unë sot e përdora transportin publik”,- theksoi një qytetare.
“Do të ishte më mirë nëse krahas këtyre propozimeve të implementohej edhe modeli “çif - tek” i automjeteve në komunikacion. Atëherë mund të priteshin rezultate më të mira për uljen e ndotjes së ajrit”,- tha një qytetar.
“Në këtë moment duhet të gjithë të përdorim transportin publik. Me sa e shoh unë, autobusët falas sot shfrytëzohen pak më shumë nga qytetarët, por kjo nuk është e mjaftueshme nëse në rrugë ende shohim qindra automjete në komunikacion”,- deklaroi një qytetar.
OJQ-të ekologjike ndezin dritën e kuqe. Ata thonë se është koha e fundit që institucionet shtetërore, përfshirë edhe qytetarët, të kyçen në implementimin e masave afatgjata. Ata përshëndesin iniciativën për transport publik falas, por janë të mendimit se kjo nuk do të japë rezultate pa u reduktuar edhe komunikacioni i automjeteve.
“Në këto kushte duhet vendosur pa dyshim ndalesë e përkohshme e automjeteve dhe të bëhet riorientim i komunikacionit rrugor për një periudhë të caktuar në zonat ku janë çerdhet, shkollat, spitalet dhe kryqëzimet”,- deklaroi anëtarja e OJQ-së “Eko Svest”, Nevena Smilevska.
“Nevojitet të ketë më shumë autobusë urbanë në orët frekuentuese të ditës dhe gjithashtu duhen lëshuar më shumë linja të reja të autobusëve në vendet ku nuk ka transport publik”,- tha anëtari i OJQ-së “Eko Svest”, Blazho Malevski.
“Qyteti i Shkupit dhe Qeveria duhet të fillojnë të zbatojnë masa afatgjate për këtë problem. Këto masa që po ndërmerren tani janë afatshkurta, të cilat do të përmirësojnë ajrin vetëm për disa ditë, ndërsa problemi i njëjti do të paraqitet edhe në vitin tjetër”,- theksoi anëtari i OJQ-së “Eko Svest”, Filip Stojanovski.
“Të gjitha institucionet shtetërore bashkërisht duhet të miratojnë dhe implementojnë strategji të qartë afatgjate për këtë problem në rast se dëshirojmë të ballafaqohemi me ketë problem”,- u shpreh një përfaqësuese e një organizate joqeveritare.
Maqedonia vazhdon të ngulfatet në smog dhe mjegull. Në shumë qytete të vendit është tejkaluar për 24 herë më shumë kufiri i lejuar e grimcave PM 10 dhe PM 2.5. (Rexhep Qamili, TVM2)
