Maqedoni
Bllokohet “Rruga e banjës” në Tetovë, banorët: Po i heqim gurët vetë, nuk merren masa: Shtabi i emergjencës: Rruga është liruar, dërguam makinerinë e rëndë
07.02.2017 17:04
“Rruga e banjës” së Tetovës assesi të marrë epilog përfundimtar. Sa herë që ka reshje të reja, por edhe shkrirje të borës, rrugët bëhen të pakalueshme....

Një pjesë e madhe e saj vazhdon të jetë e paasfaltuar. Reshjet e fundit kanë rënduar problemin, pasi shkaktuan rrëshqitjen e gurëve dhe dheut, që kanë bllokuar rrugën.
Banorët që frekuentojnë këtë pjesë shprehen se janë në rrezik sa herë që kalojnë dhe se komuna ka lënë përgjysmë punët për sanimin e rrugës.
Banorët kanë filluar t’i heqin vetë gurët nga rruga. Thonë se kanë kërkuar ndihmën e institucioneve, por askush nuk ka ardhur t’i ndihmojë.
“Çdo ditë, për ditë, siç më shihni, çdo herë që zihet pastroj kështu, u lodhëm, para dy muajve e gjysmë u zu rruga, gjithë na ndihmuan, tani presim, kemi shpresa gjatë këtyre muajve të përmirësohet koha. Jo se bllokohen, po pardje kaloi një grua me një fëmijë, i ra një gur. Duhet të merren masa të vendojnë një mur si kjo pjesa këndej. Një thes miell nuk mund ta dërgojmë, ushqim për vete, të gjitha me dorë i bëjmë”,- tha një banor.
“Prej në mëngjes kjo rrugë ka qenë e bllokuar, donim të shkojmë tek restoranti po nuk mundeshim, udhëtarët që kalojnë në këmbë i pastrojnë gurësit e mëdhenj. Nuk është hera e parë, disa herë kjo ka ndodhur, plot herë kemi kërkuar ndihmë, po askush nuk ka marrë masa”,- theksoi një banor.
Por, nga shtabi emergjent i komunës së Tetovës demantojnë se nuk po u dalin në ndihmë banorëve të kësaj zone, ata thonë se janë në terren dhe po pastrojnë dheun dhe gurët.
“Kemi dalë në vendngjarje dhe kemi marrë masa, për momentin është duke u intervenuar atje me mekanizim të rëndë. Rruga është tani e kalueshme dhe e liruar. Do t’i marrim të gjitha masat që ajo pjesë që rrëshqet të mos ketë rrëshqitje të dheut dhe gurëve. Projekti është, presim që të përmirësohet koha dhe të vazhdojmë me punë”,- deklaroi Uka ALiti nga shtabi emergjent.
Banorët kërkojnë që ndërtimi i rrugës të përfundojë sa më shpejt. Sipas tyre, nëse projekti vazhdon të zvarritet, nuk përjashtohen as protestat.
VISAR SADIKU
