Zhbogar: E presim qeverinë e re, agjenda europiane pika që bashkon partitë

07.02.2017 17:13

Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, është shprehur se Bashkimi Europian.....

Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, është shprehur se Bashkimi Europian me padurim pret formimin e qeverisë në Maqedoni, pa marrë parasysh se kush do të jetë në të. Sipas Zhbogar, kjo është në interes të vendit në vazhdimin e rrugës euroatlantike.

“Ne me padurim e presim formimin e qeverisë së re dhe shohim se të gjitha partitë politike në vend e mbështesin agjendën e BE-së. Ne besojmë se agjenda europiane është qendra e cila do të bashkonte të gjitha partitë politike në Maqedoni. Vetëm në këtë formë dhe në këtë kontekst ne shohim një qeveri të fuqishme, e cila do të punojë në zbatimin e agjendës europiane,  që gjithmonë do të ketë nevojë për mbështetje të gjerë jo vetëm të partive që do të jenë në qeveri, por gjithashtu kjo është punë edhe nga opozita”,- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Sipas Zhbogar, partitë politike duhet vetë të vendosin se çfarë qeverie do të formojnë, ndërsa ajo që është me rëndësi është ajo të jetë e fuqishme dhe të gëzojë mbështetjen edhe të partive opozitare.

“Është çështje e partive politike në parlament të cilat do të vendosin se çfarë qeverie do të dëshirojnë të formojnë. Ne si BE nuk kemi kurrfarë qëndrimi për këtë çështje, por në interesin tonë është të formohet një koalicion i fuqishëm në kontekst më të gjerë, pa marrë parasysh se a janë në pushtet apo opozitë, pra të gjitha të japin mbështetje në realizimin e agjendës europiane”,- theksoi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Ambasadori Zhbogar konfirmoi ardhjen e komisionerit për zgjerim, Johanes Han, në Shkup, duke e cilësuar atë si të mirëseardhur për të parë nga afër se ku gjendet vendi dhe për të shqyrtuar format e mëtejme se si Bashkim iEuropian mund të mbështesë Maqedoninë.

Edhe zëdhënësja e KE-së, Kociaçiç, konfirmoi se në agjendën e vizitës së Hahn në Maqedoni, përveç pjesëmarrjes në takimin e ministrave të punëve të jashtme, energjetikës dhe ekonomikë nga gjashtë shtetet ballkanike, do të jenë edhe takimet me liderët politik nga Maqedonia. (Meral Ismaili, TVM2)