Maqedoni

Hulumtim i publikut nga ASHAAV: Mediat raportojnë ndryshe për ngjarje të njëjta

07.02.2017 17:24

Shumica e mediave, sidomos ato televizive, raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta...

Ky është perceptimi i qytetarëve të moshës madhore që vjen si rezultat i një hulumtimi të publikut për edukim medial, ndërsa ka të bëjë me qasjen e tyre ndaj mediave dhe mënyrën se si i shfrytëzojnë informacionet.
 
Rezultatet të cilat i prezantoi Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele tregojnë se 62.71% e të anketuarve janë të mendimit se mediat shpesh raportojnë ndryshe njëra me tjetrën për ngjarje të njëjta.
 
“Përqindja më e madhe e të anketuarve, apo 62,71%, janë përgjigjur se shpesh kanalet televizive informojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta. Ndërsa 22,85% janë përgjigjur se ata informojnë vetëm ndonjëherë në mënyrë të ndryshme dhe vetëm 10, 97% janë përgjigjur se shumë rrallë kanalet televizive informojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta”,- deklaroi hulumtuesja në terren, Nadezhda Pop Kostova.
 
Në këtë drejtim nuk qëndrojnë shumë më mirë as radio-stacionet, 41.96% e të anketuarve janë përgjigjur se shumica e tyre gjithashtu raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të ngjashme. Edhe tek ueb faqet e ndryshme kryeson mendimi i qytetarëve se ata raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta edhe atë rreth 37.75%.
 
Për dallim nga mediat elektronike, tek mediat e shkruara dominon perceptimi i qytetarëve se ata raportojnë ndonjëherë ndryshe për ngjarje të njëjta.
 
Nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele thonë se kanë ndërmend të nxisin akoma më shumë edukimin mediatik.
 
Hulumtimi është zbatuar nga 14 nëntori deri më 8 dhjetor të vitit 2016 dhe ka përfshirë 1523 qytetarë nga mosha 16 vjet e më lartë.
 
NAIM RAMADANI