Maqedoni

Protesta e bujqve grekë, bllokohen në Selanik mallrat për Maqedoninë

07.02.2017 18:14

Protestat e bujqve grekë, të cilët i bllokojnë autostradat dhe vendkalimet kufitare të Greqisë, kanë bërë që në Portin e Selanikut të grumbullohen ngarkesat dedikuar për tregun e Maqedonisë...

Bëhet fjalë për rreth 120.000 ton lëndë të para, siç janë nikeli, thëngjilli, çeliku, kripa dhe të tjera, të dedikuara për industrinë e Maqedonisë.

Autoritetet portuale në Selanik u bëjnë thirrje bujqve të gjejnë një mënyrë tjetër proteste e të mos bllokojnë autostradat, pasi klientët që shfrytëzojnë Portin e Selanikut mund ta kahëzojnë ngarkesën e tyre drejt porteve të tjera konkurrente të Ballkanit, me çka Porti i Selanikut do të humbë para, renome dhe besim tek klientët.

Nga Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë thonë se po punojnë për tejkalimin e problemit. 

“Bllokada është problem i brendshëm i Greqisë dhe shpresoj që sa më shpejtë do të zgjidhet. Si organ përgjegjës po bëjmë përpjekje t’ua lehtësojmë të gjithë atyre që udhëtojnë drejt Greqisë, e jo vetëm transportuesve”,- tha ministri Kuçi.

Për pohimin e OKTA-s se është e mundshme kriza e naftës në vend nëse nuk fillon qarkullimi i cisternave me naftë nga Greqia në Maqedoni, ministri Kuçi tha se do të parandalojnë çfarëdolloj krize.