Botë

DASH: Mbështesim tërësinë territoriale të Maqedonisë

08.02.2017 12:22

Departamenti Amerikan i Shtetit i është përgjigjur Shkupin zyrtar lidhur me deklaratat e kongresmenit amerikan, Dana Rohrabacher, gjatë një interviste dhënë për televizionin Vizion Plus...

Ligjvënësi ishte shprehur se Maqedonia duhet të ndahet, çka solli edhe reagimin e Ministrisë se Jashtme të Maqedonisë, që kërkoi një sqarim plotësues nga DASh. Një zyrtar i këtij departamenti tha për “Zërin e Amerikës” se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Maqedonisë nuk ka ndryshuar.
 
“Shtetet e Bashkuara njohin dhe mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar”,- theksoi ai.
 
Kongresmeni Rohrabacher kishte sugjeruar që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni duhet t’i bashkohen Kosovës, pasi kurrë nuk do të mund të shkojnë mirë me maqedonasit. Për sa i përket pjesës tjetër të Maqedonisë, propozimi i tij ishte që të bëhet pjesë e Bullgarisë apo e çdo vendi tjetër me të cilin pretendon të ketë lidhje.
 
Deklarata e Rohrabacher - anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve- shkaktoi alarm në Shkup. Ministria e Jashtme përmes një deklarate tha se komente të tilla ndezin retorika nacionaliste mes vendeve fqinje dhe kthejnë të kaluarën.
 
BELINDA KOKA-ADEMI