Botë
ShBA - dekreti presidencial, Apeli plot pikëpyetje rreth vendimit të Trumpit
08.02.2017 13:18
Gjykata e Apelit në ShBA, e cila po shqyrton çështjen e ndalimit të myslimanëve, ka shtruar pyetjen nëse urdhri i presidentit, Donald Trump, është diskriminues për myslimanët...

Urdhri ndaloi hyrjen në ShBA për të gjithë refugjatët dhe vizitorët nga shtatë vende kryesisht myslimane. Paneli prej tre gjyqtarësh ka ngritur pyetje mbi kufijtë në pushtetin e presidentit dhe provat që ka presidenti Trump për të lidhur shtatë vendet me terrorizmin.
Gjykata gjithashtu ngriti pyetjen nëse masa mund të konsiderohet si anti-myslimane. Një gjykatës që mbështet urdhrin tha se një numër shtetasish nga Somalia në ShBA kanë pasur lidhje me grupin “Al Shabab”.
Ndërkaq, sipas përllogaritjeve të gjykatësit, Richard Clifton, vetëm 15 për qind e botës myslimane preket nga urdhri i Trump dhe ekziston shqetësim për rrezikun terrorist nga persona të lidhur me sekte radikale islamiste.
Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar që të rikthehet urdhri i Trumpit, tashmë i pezulluar, duke theksuar se vetëm presidenti ka pushtetin të vendosë së kush duhet të hyjë, apo të qëndrojë në ShBA. Por, pala kundërshtare këmbënguli me forcë se ndalimi i urdhrit të Trumpit nuk e ka dëmtuar Qeverinë amerikane.
Një vendim nga Gjykata e 9 e Apelit në San Francisko pritet gjatë kësaj jave. Por, cilido qoftë vendimi, çështja me shumë gjasa do të përfundojë në Gjykatën e Lartë. Sondazhet tregojnë se opinioni publik është shumë i ndarë në qëndrime për urdhrin e presidentit.
BELINDA KOKA-ADEMI
