Maqedoni

Gjykata vendosi: Gjykimi për vrasjen e Almirit, javën e ardhshme

08.02.2017 15:36

Gjykimi ndaj Boban Iliqit nga Kumanova, i cili është i dyshuar për vrasjen e katërvjeçarit, Almir Aliut, më 25 qershor të vitit të kaluar, do të fillojë javën tjetër në Gjykatën Themelore – Kumanovë...

Gjykata ka caktuar 15 shkurtin si datë për fillimin e gjykimit të 30-vjeçarit. Përveç vrasjes së Almirit, i paraburgosuri Iliq është i dyshuar edhe për tentim vrasje të prindërve të fëmijës.
 
Sipas aktakuzës, përpara vrasjes ka pasur një zënkë mes Iliqit dhe babait të Almirit në Shtëpinë e Shëndetit – Kumanovë, dhe për shkak të mosrespektimit të radhës për pranim në ambulancë.
 
Prokuroria Themelore e Kumanovës ka dorëzuar aktakuzën për vrasjen e Almir Aliut më 25 qershor të këtij viti. 
 
Almir Aliu nga Kumanova humbi jetën si pasojë e goditjes me veturë që mori mbrëmjen e 25 qershorit. Edhe në videon që përbën provë materiale për rastin vërehet se i dyshuari Boban Iliq e ka kryer aktin në prani të prindërve të Almirit.
 
Neni 123 i Kodit penal, paragrafi 2 dhe 3, thotë se: “personi që me paramendim privon nga jeta ndonjë person dhe më pas rrezikon edhe jetën e ndonjë personi tjetër, dënohet me prej 10 vite burg deri me burg të përjetshëm”.
 
Për ngjarjen pati reagime të mëdha, për të cilën u organizua edhe protesta.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU