Maqedoni
Ulet ndotja, prej nesër transporti publik me pagesë
08.02.2017 16:46
Nuk ka më transport falas për qytetarët....

Qyteti i Shkupit solli vendim që të ndërpresë masën e jashtëzakonshme për mbrojtjen e ambientit jetësor, që rezultoi me dy ditë transport publik falas.
Autoritetet e Shkupit tashmë justifikohen se vendimi është sjellë në bazë të raporteve pozitive të mjedisit jetësor për ndotjen e ajrit. Por, qytetarët thonë se ndotja nuk ulet vetëm me dy ditë transport falas, por me masa afatgjata.
“Këto masa janë masa afatshkurta, sepse për mbrojtjen e mjedisit jetësor duhet investuar pak më shumë, më herët dhe në afat më të gjatë”,- deklaroi një qytetar.
“Nuk është e mjaftueshme vetëm dy ditë, transporti publik falas duhet të vazhdohet akoma edhe disa ditë”- tha një qytetar.
“Kështu me një ose dy ditë nuk pastrohet ambienti”,- theksoi një qytetar.
“Jo vetëm autobusët falas, por duhen edhe fabrikat që ndotin të kontrollohen dhe të vendosin filtra dhe të ndërpritet njëherë e përgjithmonë që të digjen goma dhe plastika në Shkup”,- u shpreh një qytetar.
Përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik pranojnë se për dy ditë sa zgjati transporti falas për qytetarët, nuk u vërejt asnjë ndryshim në transportin rrugor. Autobusët falas kryesisht shfrytëzuan udhëtarët e rregullt dhe masa nuk i detyroi qytetarët të tjerë të lënë veturat dhe të udhëtojnë me autobusë.
“Transporti publik falas për qytetarët nuk dha efekte të mëdha. Nuk kishte fluks të shtuar të udhëtarëve ashtu siç pritem gjatë ditës së djeshme. Nuk e di arsyen e vërtetë për këtë, por e di që edhe sot situata në terren mbeti e njëjtë. Komunikacioni rrugor u zvogëlua pak, por kjo nuk rezultoi sipas pritjeve tona”,- deklaroi shoferi i NQP-së, Ljubisha Trajkovski.
Kanë reaguar LSDM dhe Partia për Ripërtëritje Demokratike. Ata kërkojnë vazhdimin e transportit falas për qytetarët dhe implementimin urgjent të modelit “çift-tek”për makinat në Shkup.
“Qeveria qendrore në largim dhe autoritetet lokale duhet të vazhdojnë masën për transport falas të qytetarëve, të implementojnë modelin “çif-tek” të vozitjes së veturave dhe të shtojnë më shumë autobusë në përdorim”,- u shpreh Pece Mirçeski nga LSDM.
Deri në fund të kësaj jave sinoptikanët nuk paralajmërojnë të ketë mjegull dhe ndotje të madhe të ajrit në vend. Ata thonë se gjatë këtyre ditëve do të ketë mot me diell dhe erë të kohëpaskohshme, që do të mundësojë të paktën largimin e mjegullës dhe ajrit të ndotur për njëfarë kohe.
REXHEP QAMILI
