Mosuli lindor, ringjallja e një qyteti të shkatërruar

08.02.2017 17:00

Mosuli lindor po rindërtohet ngadalë pas çlirimit të tij nga DAESh...

Mosuli lindor po rindërtohet ngadalë pas çlirimit të tij nga DAESh. Ziad Abu është një argjendar që ka përjetuar sundimin mizor të militantëve të “Shtetit Islamik”.

Ai po viziton qytetin bashkë me një ekip televiziv për t’iu treguar përjetimet e tij dhe bashkëqytetarëve të tjerë. Ai i dërgon ata në selinë e ISIS-it, e cila është bombarduar dhe djegur tërësisht.

"Në fazën e fundit, kur ata u rrethuan dhe e kuptuan se kohës së tyre në Mosul po i vjen fundi, ata arrestonin çdo ditë nga një person civil dhe ta vrisnin në rrugë duke e lënë aty, me qëllim që të kërcënojnë dhe frikësojnë njerëzit”,- deklaroi argjendari nga Mosuli, Ziyad Abu-Omar.

Për katër orë rresht u zhvillua një luftë e ashpër në mes të militantëve të ISIS-it dhe Ushtrisë iraniane. Gjithçka u shkatërrua dhe mori pamje të tmerrshme. Qyteti akoma nuk ka energji elektrike dhe ujë. Familjet kanë mbetur pa asgjë, ata nuk kanë para të ndërtojnë shtëpitë e tyre. Por, kjo familje kishte fat, ata u larguan pak minuta para se bomba të shpërthente mbi shtëpinë e tyre. Ata kanë humbur taksinë, të vetmin mjet pune që siguronte të ardhurat për familjen. 

"Ne ishim mirë, bashkëshorti im punonte si  taksist, por ja,  vetura e tij u shkatërrua, nuk kemi asgjë tjetër. Duam ta rindërtojmë shtëpinë, por nuk dimë se si, pasi që burri im duhet të mbajë 12 anëtarë të familjes dhe vetura që shihni është i vetmi burim i të ardhurave”,- theksoi një qytetare.

Për gati një muaj, dy trupa të pajetë të militantëve të ISIS-it nuk i largon askush nga rruga. Fëmijët të cilët jetojnë në këtë pjesë janë mësuar me ato pamje dhe aromën e vdekjes.

Vullnetarët e rinj pastrojnë parkun i cili rrethon fontanën e qytetit, uji i së cilës zëvendësohej me naftë në kohën e DAESh-it, që e ndiznin për të mbuluar me tym qytetin e për ta bëtë të vështirë për t’u qëlluar nga aeroplanët.

Nga ky shesh fillon e ardhmja e Mosulit. Restoranti afër tij është tanimë i mbushur me njerëz.

Kamerieri reciton poezinë për kohën që po ndryshon, ndërsa qytetarët thonë se do të ishte më mirë që edhe përjetimet e terrorit mizor të “Shtetit Islamik” në Mosul të largohen lehtë, njësoj si mbeturinat e tij. (Leunora Kaliqi, TVM2)