Maqedoni
BDI kërkon funksionim të Kuvendit, LSDM qeveri, VMRO zgjedhje të parakohshme
08.02.2017 17:18
BDI dhe LSDM vazhdojnë konsultat brendapartive përkatëse. Vizita e eurokomisarit Han pritet t’i japë shtytje procesit....

Palët thonë se do të paraqesin këndvështrimet e tyre rreth krizës politike dhe formimit të qeverisë. Për BDI-në më me rëndësi është të vihet në funksion Kuvendi, i cili do të zgjedh një qeveri që do të plotësojë kërkesat e të gjithë qytetarëve, thotë nënkryetari i kësaj partie, Nevzat Bejta, njëkohësisht anëtar i grupit negociator.
“Jemi të angazhuar që të vihet në funksion Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe sa më shpejtë të formohet qeveria, e cila do t’i plotësojë të gjitha kërkesat e qytetarëve të Maqedonisë. Ne jemi në zhvillim të bisedimeve dhe besoj se shumë shpejtë do të jeni të informuar për gjithçka. Zoti Han ka punë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, ne e kemi për detyrë si grup pune të informojmë kryesin e BDI-së dhe kryetarin për të gjitha bisedat që i kemi zhvilluar me grupin e punës të socialdemokratëve”,- deklaroi nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta.
LSDM përpiqet që sa më shpejtë të formohet qeveria në RM, pasi, siç thonë, qytetarët, por edhe shoqëria në përgjithësi presin që kriza në Maqedoni të përfundojë sa më shpejtë.
“Nuk ka asnjë moment të ri në pjesën e bisedimeve. Grupet e punës biseduan. Për momentin po bëhen konsulta brenda dy partive politike. Në takimin e nesërm me Han do të bisedojmë për vështrimet e tij, por do t’ia paraqesim edhe këndvështrimet tona për situatën politike dhe formimin e qeverisë së re në RM”,- theksoi Pece Mirçeski nga LSDM.
Në ndërkohë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në një takim me ambasadorin turk, në vend, ka deklaruar se në Maqedoni janë krijuar kushte për zgjedhje të parakohshme. Fajin për dështimin e tij në përpjekjen për të formuar qeveri ia ka hedhur faktorit të huaj dhe vendeve fqinje.
“Në 20 ditët e para nga ndarja e mandatit partia kishte bisedime për formimin e koalicionit me BDI-në. Në këtë periudhë ishte e qartë përfshirja e faktorëve të huaj, përfshirë edhe vendet fqinje, që rezultoi me hartimin e platformës së re të partive shqiptare”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
SHPËTIM NUREDINI
