Tiranë, ONM fillon “skenimin” e drejtësisë shqiptare
Ka mbërritur zyrtarisht në Tiranë stafi i Operacionit ndërkombëtar të monitorimit...

Ka mbërritur zyrtarisht në Tiranë stafi i Operacionit ndërkombëtar të monitorimit, i cili do të mbikëqyrë procesin e vetingut në Shqipëri, si pjesë e reformës në drejtësi. Kryesuesja e këtij misioni është juristja spanjolle, Genoveva Ruiz - Calavera.
Gjatë një deklarate për mediat, Calavera siguroi paanshmëri dhe profesionalizëm për të përmbushur të vetmin kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, vettingun.
“Unë besoj se mesazhi ynë është i qartë. Ky proces vettingu është jetik për të hapur derën e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Si kryetare e Bordit të menaxhimit mund t’iu siguroj se Operacioni ndërkombëtar i monitorimit do t’i kryejë detyrat e veta me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje me ligjin”,- tha kryesuesja e Misionit të ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera.
Më herët, kreu i Misionit ndërkombëtar, Calavera, takoi kryeministrin, Edi Rama, dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ndërsa zhvilloi edhe një takim prezantues informal me gazetarë. (Luljeta Ndoka, TVM2)
