Bllokada në Evzoni, OEMVP: Shtohen shpenzimet e transportit

08.02.2017 17:42

Bllokimi i vendkalimeve kufitare në Greqi ka bllokuar edhe portin e Selanikut....

Bllokimi i vendkalimeve kufitare në Greqi ka bllokuar edhe portin e Selanikut, ku tashmë janë grumbulluar 120.000 ton lëndë të para, siç janë nikeli, thëngjilli, çeliku, kripa dhe të tjera, të dedikuara për industrinë e Maqedonisë. 

Bllokada e kufirit në Evzoni shton shpenzimet e transportit, pasi tani firmat transportuese detyrohen të përdorin pikat e tjera kufitare për të hyrë në Maqedoni.

“Ne si Maqedoni shfrytëzojmë portet e Greqisë për të importuar mallin në Maqedoni. Gjithsesi, shpenzimet e transportit mund të rriten, pasi që malli mund të vonohet. Mirëpo, kompanitë janë shumë të gjithanshme dhe ato shfrytëzojnë edhe pikat kufitare tjera, si Dojrani dhe Mexhitlia, mirëpo gjithsesi ju shtohen shpenzimet e transportit dhe shpenzimet për të qëndruar nëpër dogana”,- deklaroi Milaim Ameti nga OEMVP.

Nga OMVP nuk presin që bllokada të sjellë krizë të naftës në vend, pasi Greqia ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me Organizatën ndërkombëtare të tregjeve, që nuk mund të lejojë eskalim të situatës deri në një krizë. Lidhja e sindikatave, ndërkohë, kërkon që në zgjidhjen e këtij problemi të kyçet edhe ambasadori i Greqisë në vend, Dhimitris Janakakis, dhe kryetarët e Konfederatës së sindikatave të Greqisë dhe Konfederatës së shërbimeve publike në Greqi – ADEDY.

Bllokada në Evzoni, LSM: sjell implikime financiare

Sipas LSM-së, bllokada e bujqve grekë reflektohet shumë në Maqedoni.

“Bllokadat e bujqve grekë në vendkalimin kufitar Evzoni mund të shkaktojnë edhe implikime të tjera negative financiare ndaj ekonomive nacionale, që në mënyrë të sigurt do të reflektohet negativisht mbi ekzistencën e punonjësve të cilët punojnë në këto kompani dhe që mund të reflektohet me paraqitjen e pagesës së pagave, mospranimin e pagave etj”,- qëndron në letrën dërguar Ambasadës greke dhe konfederatave sindikaliste. (Ersan Pajaziti, TVM2)