Botë
Tri ditë zie për viktimat në Turqi
14.05.2014 16:51
Qeveria e Turqisë ka shpallur tri ditë zie për tragjedinë e cila ndodhi gjatë ditës së martë në perëndim të vendit, gjatë shpërthimit të një miniere qymyri...

Qeveria e Turqisë ka shpallur tri ditë zie për tragjedinë e cila ndodhi gjatë ditës së martë në perëndim të vendit, gjatë shpërthimit të një miniere qymyri, ku 232 njerëzit mbetën të vdekur.
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qëndruar sot pranë minierës ku ka ndodhur incidenti, në provincën Manisa, i cili thuhet të jetë shkaktuar nga një defekt i energjisë elektrike, ndërsa ka lënë qindra persona të tjerë të bllokuar në dy mijë metra thellësi nën tokë.
Në një prononcim për mediat, Erdogan saktësoi bilancin e fundit të viktimave nga shpërthimi dhe ngushëlloi familjet e prekura nga kjo tragjedi. Erdogan siguroi familjarët e viktimave dhe popullin turk që hetimi për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë ka nisur.
Ndërsa gjatë ditës së sotme, ministri turk i Energjetikës, Taner Yildiz, ka thënë se 787 punëtorë kanë qenë nën tokë në kohën e shpërthimit, përderisa punëtorët e shpëtimit janë duke pompuar oksigjen në minierë në përpjekje për të mbajtur gjallë të mbijetuarit.
“Kemi humbur 232 minatorë deri më tani, ndërsa është shqetësues numri i viktimave të cilët mund të arrihen. Janë të lënduar 80 persona, 60 minator dhe 20 prej tyre punëtorë të prekur nga gazi helmues. 4 nga ata janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar në spital. Ekipi i shpëtimit është duke punuar, por shpresat mbesin ato të cilat zhduken në fund“, deklaroi ministri i Energjetikës, Taner Yildiz.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka anuluar udhëtimin për në Shqipëri të paraparë për sot, për të udhëtuar në vendin e fatkeqësisë. Shumica e njerëzve kujtojnë fatkeqësinë e para 20 viteve në Zonguldag, në veri të Turqisë, ku nga shpërthimi i një miniere jetën e humbën rreth 300 minatorë.
LEUNORA KALIQI
