Maqedoni

Testimi “PISA” mundëson krahasimin e cilësisë në arsim

14.05.2014 17:12

Në 38 shkolla në vend u realizua vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve...

Në 38 shkolla në vend u realizua vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve.
 
“PISA”, testim ky që zbatohet në 60 vende nga mbarë bota. Testimi ka për qëllim matjen e diturive të nxënësve për lexim, qasje kritike në leximin e materialeve të shkruara, testim në shkencat natyrore dhe matematikë.
 
Nxënësit testohen duke u përgjigjur në pyetjet e përmbajtura në pyetësorët dhe testet e standardizuara, ndërsa rezultatet nga testimi nuk kanë kurrfarë ndikimi në suksesin e tyre, thonë profesorët.
 
“Mendoj se i motivon nxënësit të mësojnë. Ky testim duhet të realizohet, pyetjet nuk janë shumë të vështira, mendoj se është i kapshëm për nxënësit e vitit të dytë”, theksoi profesori Idriz Kurtishi.
 
Nxënësit mirëpresin këtë testim të njohurive të tyre dhe thonë se pyetjet përfshinë të gjitha lëndët mësimore.
 
“Nuk notohemi në këtë test, kemi detyra në matematikë, shqip, kimi, ndërsa pyetjet nuk janë edhe aq të lehta”, u shpreh një nxënës.
 
“Në këtë test ka pyetje logjike dhe pyetje nga të gjitha lëndët. Është mirë të bëhet ky test, sepse edhe ne e kontrollojmë veten tonë, sepse realizohet për matjen e diturive të nxënësve”, tha një nxënës tjetër.
 
“Pyetje të përgjithshme nga të gjitha lëndët, janë pyetje logjike, e përkrahim këtë test, sepse duhet të dimë se deri ku jemi me dituritë tona”, potencoi një nxënëse.
 
Rezultatet, të cilat merren nga testimi “PISA”, janë studim për cilësinë  e sistemit arsimor të një vendi, që mundëson krahasimin me vende të tjera, por para së gjithash paraqesin bazë për inicimin e reformave arsimore.
 
Në vitin 2015 është paraparë të aplikohet “PISA” testimi zyrtar, me të cilin do të përfshihen nxënësit që kanë mbushur 15 vjet.
 
FLUTURA LATIFI