122 OJQ nënshkruajnë deklaratë “Ta mbrojmë shoqërinë civile”, VMRO-DPMNE: Desorosoizimi, proces që i nevojitet Maqedonisë
Mbrojtja dhe avancimi i shoqërive qytetare, përskaj kërcënimeve....

Mbrojtja dhe avancimi i shoqërive qytetare, përskaj kërcënimeve, është qëllimi i nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të 122 organizatave qytetare nga vendi, të cilat kërkuan edhe përkrahjen e mediave.
Përfaqësues të OJQ-ve, nënshkruese të deklaratës, thanë se ngrenë zërin në mbrojtje të sektorit qytetar, i cili 25 vite vepron si kontrollues dhe përkrahës i punës së institucioneve dhe angazhohet për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nga sektori joqeveritar mohojnë akuzat që vijnë nga VMRO-DPMNE për bashkëpunim me LSDM-në.
“Sulmi mbi organizatat qytetare nuk është vetëm një lajm propagandues që dëgjohet në media. Por, është një sulm mbi shoqërinë qytetare, nderin, dinjitetin dhe reputacionin e qytetarëve që këtu kanë lindur, jetojnë, punojnë, paguajnë tatimet, kurse punën dhe angazhimin e tyre në mënyrë profesionale ose vullnetare ia kanë përkushtuar përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve në vend”,- deklaroi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
“Në emër të Kushtetutës së RM-së, në emër të lirisë së garantuar me kushtetutë të qytetarëve që të bashkohen për realizimin e të drejtave dhe bindjeve të tyre dhe në emër të së drejtës së patjetërsuar të secilit qytetar që të ngrit zërin e tij dhe mos të shënohet ose dënohet për atë, ju ftojmë të përkrahni organizatat, grupet, shoqëritë dhe individët që aktivisht qëndrojnë për vlerat demokratike”,- deklaroi Fani Karanfillova Panovska nga Fondacioni “Shoqëri e hapur” - Maqedoni.
“Jemi dëshmitarë të asaj që Maqedonia është e ndotur tanimë një kohë të gjatë, autoritetet tona nuk ndërmarrin masa derisa u ngritën qytetarët në këmbë, derisa erdhi te mbyllja e disa kapaciteteve ndotëse dhe ishte ky roli që sektori qytetar dhe i kuptimit që patëm nga Ministria e Mjedisit, sepse nëse dëmtohet sektori civil dëmtohet edhe interesi i çdo qytetari”,- theksoi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla””.
Por, nga VMRO-DPMNE sërish akuzuan se SOROS dhe LSDM po udhëheqin fushatë kundër sektorit joqeveritar, i cili lufton për desorosoizimin.
"Fushata e cila sipas porosisë së tyre kundër sektorit të vërtetë joqeveritar e udhëheqin okupatorët dhe shkatërruesit e nismave qytetare, edhe një herë doli në pah për shkak të pakujdesisë së organizatave joqeveritare sorosoide në shërbim të LSDM-së",- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, sipas të cilës desorosoizimi ka filluar dhe se ky proces i nevojitet Maqedonisë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
