Maqedoni
Ademi: Mjedisi jetësor i rëndësishëm në konkurrencë
14.05.2014 17:18
Si vend kandidat, Maqedonia i përkrah dhe i implementon politikat dhe direktivat e BE-së që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike dhe ambientin jetësor...

Si vend kandidat, Maqedonia i përkrah dhe i implementon politikat dhe direktivat e BE-së që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike dhe ambientin jetësor.
Kështu ka deklaruar ministri i Ambientit, Abdylhaqim Ademi, në konferencën joformale të ministrave të ambientit të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve aspirante, të organizuar nga Greqia, si vend kryesues me BE-në. Për dallim nga disa vende të tjera, Maqedonia ka miratuar edhe raportin e tretë për ndryshimet klimatike.
Adresimi i drejtë i çështjeve klimatike kërkon qasje dhe teknologji inovative ekologjike. Eko-risitë do të bëhen kyçe për rritjen ekonomike, konkurrencën dhe punësimin, ka thënë Ademi në Athinë.
“Ne vazhdojmë me implementimin e politikave të ambientit jetësor. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me delegacionin e BE-së në Maqedoni, por edhe me resorë të tjerë, me qëllim që politikat e ambientit jetësor të implementohen edhe në sfera tjera, e veçanërisht tani kur flitet shumë për ndryshimet klimatike, të cilat në njëfarë mënyrë japin rezultate negative”, deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi gjithashtu ka njoftuar se kanë filluar aktivitetet konkrete në kuadër të projektit, i cili po mbështetet nga USAID-i në 17 kompani në Maqedoni, me qëllim që të vendosen sisteme për monitorimin e shpenzimit të energjisë, ndërsa në 6 kompani do të mbështetet realizimi i projekteve për efikasitet energjetik.
Takimi i sotëm i ministrave të Ambientit, shërbeu si parapërgatitje e samitit për ndryshime klimatike, i cili do të mbahet në muajin qershor në qytetin e Bonit të Gjermanisë, ku do të diskutohet për kornizën politike evropiane për klimë dhe energji 2030.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
