Maqedoni

BDI: “Avokat i cilave qarqe është PDSH?”

14.05.2014 17:21

BDI ka reaguar ndaj pres-konferencës së sotme të PDSH-së...

BDI ka reaguar ndaj pres-konferencës së sotme të PDSH-së, duke theksuar se në demokracitë parlamentare janë qytetarët ata që vendosin me votë për fatin e partive politike.

”Legjitimiteti i BDI-së buron nga vullneti politik i shqiptarëve, ndaj janë pikërisht ata dhe jo PDSH që vendosin se cila parti do të qeverisë, cila do të qëndrojë në opozitë dhe cila do të zhduket nga skena politike. BDI është parti e përgjegjshme, me politika kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht të verifikuara dhe si e tillë ajo ka vizion, di dhe mundet të bëjë atë ç’farë duhet për të mirën e qytetarëve shqiptarë. Ajo që PDSH na dha sot për të kuptuar, është se ka kaluar në grupin e atyre që kërkojnë t’ua mbushin mendjen qytetarëve se integrimi në BE dhe në NATO nuk janë zgjidhje për problemet që ka Shteti. Kjo është hera e parë që një parti shqiptare guxon të hedhë dyshime mbi përfitimet që sjell integrimi dhe të tentojë të lëkund orientimin euroatlantik të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së, duke përfunduar komunikatën me pyetjen se: “Avokat i cilave qarqe anti-BE dhe anti-NATO ka zgjedhur këtë herë të jetë PDSH?”.