Maqedoni
800 mijë euro donacion europian, përforcohen kapacitetet e Policisë kufitare
10.02.2017 15:06
Donacioni i Bashkimit Europian me vlerë prej 800 mijë eurove, i cili përfshin edhe 33 automjete terreni për nevojat e policisë kufitare...

Donacioni i Bashkimit Europian me vlerë prej 800 mijë eurove, i cili përfshin edhe 33 automjete terreni për nevojat e policisë kufitare dhe Qendrës për menaxhim me krizat iu dhurua sot Ministrisë së Punëve te Brendshme të Maqedonisë.
“Ky donacion i përbërë nga 31 automjete terreni me vlerë rreth 800 mijë eurosh para së gjithash është dedikuar për përforcimin e kapaciteteve teknike të policisë kufitare me qëllim të funksionimit më të lehtë dhe më efikas të saj sipas standardeve profesionale bashkëkohore dhe për tejkalimin e sfidave në luftën kundër kërcënimeve ndërkombëtare dhe krimit ndërkufitar”,- deklaroi ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu.
“Do të dëshmojmë në praktikë se si mbrohen vlerat europiane, si po sigurohet drejtësia dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, për dallim nga ata të cilët e keqpërdorin fatkeqësinë e të tjerëve për të fituar pushtet”,- theksoi drejtori i QMK-së, Agron Buxhaku.
“Këto automjete e rrisin aftësinë operative të shërbimeve tona për kontrollimin e suksesshëm të kufijve, me çka në mënyrë direkte kontribuohet për siguri më të madhe të vendit, rajonit dhe BE-së”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
Certifikatat për automjete i ndau komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han, i cili vlerësoi se kjo është një shenjë e qartë për bashkëpunim reciprok mes familjes europiane dhe Maqedonisë për t’u ballafaquar dhe menaxhuar krizën më të madhe të emigrantëve në kohërat moderne.
“Këto donacione gjithashtu do të ndihmojnë në përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve në luftën kundër njerëzimit, trafikimit të emigrantëve dhe krimit ndërkufitar. Kjo ndihmë nuk është vetëm në favor të institucioneve, por edhe të refugjatëve”,- theksoi komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn.
Në zonat kufitare janë të vendosur rreth 120 doganierë europianë për t’iu dalë në ndihmë autoriteteve vendase.
REXHEP QAMILI
