Trump paralajmëron Gjykatën e Apelit: shihemi në gjyq, siguria e kombit në rrezik!
Vetëm pak minuta pasi Gjykata e Apelit në San Francisko vendosi të lërë në fuqi pezullimin e urdhrit të presidentit të ShBA-së...

Vetëm pak minuta pasi Gjykata e Apelit në San Francisko vendosi të lërë në fuqi pezullimin e urdhrit të presidentit të ShBA-së për emigracionin, ka ardhur dhe reagimi i ashpër i Donald Trump.
Me një postim me shkronja kapitale, Trump shkruan në Twitter: “shihemi në gjykatë, siguria e kombit tonë është në rrezik!”.
Ai gjithashtu foli me gazetarët në Uest Uing, ku e cilësoi vendimin e gjyqtarëve politikë.
Presidenti i ShBA-ve tha se do të apelojë vendimin: “kjo është një situatë shumë serioze, kështu që ne do ta ndjekim çështjen në Gjykatë”.
Për vendimin reagoi edhe ish-rivalja e Trumpit në garën presidenciale, Hilari Klinton, duke shkruar në Twitter “3-0”, referuar këtu vendimit unanim të gjyqtarëve.
Në një vendim unanim, paneli prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit në San Francisko vendosi të lerë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili pezullonte përkohësisht urdhrin e presidentit Trump për të mos lejuar udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.
Fati i urdhrit presidencial pritet të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Lartë, e cila ka një vend bosh dhe kandidati i emëruar nga presidenti së fundmi për ta plotësuar atë nuk ka të ngjarë të konfirmohet nga Senati në kohë për të votuar për këtë çështje.
Gjykata e Lartë aktualisht është me tetë anëtarë, katër me prirje konservatore dhe katër me prirje liberale.
Urdhri ekzekutiv nga ana tjetër ishte i vlefshëm vetëm për 90 ditë dhe ekziston mundësia që afati të skadojë para se Gjykata e Lartë të arrijë të diskutojë për të.
LEUNORA KALIQI
