Drejtoria e Kadastrës, regjistrim falas të pronës në 31 komuna
Pronarët e parcelave në 31 komuna kadastrale fitojnë mundësinë falas...

Pronarët e parcelave në 31 komuna kadastrale fitojnë mundësinë falas të marrin fletëpronësi.
Bëhet fjalë për komuna kadastrale me mbi 20 për qind të drejta të pakonfirmuara të pronësisë, të përfshira me programin vjetor të Qeverisë për vitin 2017 për azhurnimin e të dhënave sipas detyrës zyrtare.
Tridhjetë e një komunat kadastrale të parapara për këtë vit janë në kompetencë të sektorëve kadastral në Veles, Gostivar, Kumanovë, Makedonski Brod, Shën Nikollë dhe Shtip.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe personave juridikë, të cilët posedojnë pronë në komunat kadastrale të përfshira me program, të parashtrojnë kërkesë deri te njësia kompetente për kadastra ku gjendet patundshmëria e tyre, ku duhet t’i dorëzojnë dokumentet, aktvendime, marrëveshje, akte të organeve shtetërore, vendime të trashëguara dhe fletëpronësi, me ç’ka Kadastra do të bëjë regjistrim falas të të drejtave të pronës”,- deklaroi drejtori i Kadastrës, Sllavçe Tërpevski.
Vitin e kaluar me masën për regjistrim falas të pronësisë, 4.000 qytetarë dhe persona juridikë kanë marrë fletëpronësi.
“Kursimi i përgjithshëm i qytetarëve dhe personave juridikë nga realizimi i deritanishëm i këtij projekti, në bazë të elaboratit gjeodezik arrin në 6,3 milionë euro”,- tha Tërpevski.
Regjistrimi falas i të drejtave të pronës zbatohet nga viti 2014 pas ndryshimeve të Ligjit të Kadastrave të patundshmërive. Janë përfshirë 420.000 parcela kadastrale në rajonet rurale. (Ersan Pajaziti, TVM2)
