ShGM përshëndet vendimin e GjEPD-së: U konfirmua se në RM abuzohet me lirinë e fjalës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka mirëpritur vendimin e Gjykatës europiane...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka mirëpritur vendimin e Gjykatës europiane për të drejtat e njeriut lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012, kur gazetarët dhunshëm u larguan nga galeria e Kuvendit republikan.
Nga ShGM thonë me këtë vendim se Gjykata europiane ka konfirmuar se në Maqedoni abuzohet me lirinë e fjalës.
“Arritëm që nëpërmjet fakteve të dëshmojmë para opinionit maqedonas dhe europian se në Maqedoni ekzistojnë shkelje serioze të lirisë së fjalës. Besoj se institucionet në Maqedoni do të nxjerrin ndonjë mësim në të ardhmen dhe nuk do t’ i pengojnë gazetarët gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Ata duhet ta kuptojnë se në një shoqëri demokratike, institucionet janë të obliguara që të krijojnë kushte të volitshme për punë të papenguar të gazetarëve”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
SHGM kërkon përgjegjësi edhe nga gjykatësit e Kushtetueses, të cilët nuk arritën të tregojnë se drejtësia në Maqedoni është në anën e atij që i shkelen të drejtat.
“Gjykata Kushtetuese lëshoi rastin historik për të vërtetuar një shkelje të dukshme të lirisë së fjalës. Po të kishte ngelur vetëm pak integritet profesional dhe njerëzor tek gjykatësit kushtetues, ata menjëherë do të duhet të jepnin dorëheqje”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Vendimet e këtij lloji kontribuojnë që në Maqedoni të krijohet kulturë juridike dhe të afirmohet respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, thonë nga ShGM. Ata paralajmëruan kontakte me të gjitha institucionet relevante me qëllim të vendosjes së mekanizmave për të siguruar kushte normale për punën e gazetarëve. (Naim Ramadani, TVM2)
