Shkup, hapet “Muzeu i Profetit Muhamed”
Forumi Rinor Islam për herë të parë në Maqedoni prezantoi “Muzeun e profetit Muhamed”....

Forumi Rinor Islam për herë të parë në Maqedoni prezantoi “Muzeun e profetit Muhamed”, i cili paraqet jetën dhe veprën e një prej njerëzve më të rëndësishëm që ka jetuar ndonjëherë, e që ka ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë njerëzimin. Veprat e prezantuara janë mbledhur dhe përpunuar në mënyrë artistike nga profesori nga Bosnja, Esmir Halilovic.
“Ky muze i lëvizshëm i Pejgamberit a.s. është muzeu i vetëm i këtij lloji në botë. Në botën islame, si në Mekë e Medinë, ka muzeume, por ato janë statike. Me këtë muze ne udhëtojmë në të gjithë botën. Deri tani muzeun tonë kanë pasur mundësi ta vizitojnë 38 mijë vizitorë. Kemi bërë rikonstruimin e jetës së Profetit përmes fotografive. Kjo është vizualizimi i përmbajtjes së jetës së Profetit Muhamed, ka eksponate dhe musafe të vjetra të cilat do të jenë shumë interesante”,- deklaroi autori i ekspozitës, Esmir Haliloviç.
“Është një vepër kulturore që mendojmë se do të ndihmojë edhe kulturën e përgjithshme në RM, por nga ana tjetër të vetëdijesohemi edhe ne si myslimanë për jetën e njeriut për të cilin thirremi se e ndjekim dhe veprojmë sipas parimeve të tij”,- theksoi kryetari i FRI-së, Fisnik Shabani.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më datën 13 të këtij muaji. Këto punime janë prezantuar në disa vende të Europës dhe Ballkanit ku është shfaqur interesim i madh nga shumë vizitorë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
