Tetovë, protesta kundër EVN-së, afat për përgjigje deri të hënën

10.02.2017 18:28

Tetovarët, së bashku me banorët e rrethinës, kanë protestuar sërish kundër EVN-së....

Tetovarët, së bashku me banorët e rrethinës, kanë protestuar sërish kundër EVN-së. “Në fëmijëri kishim frikë nga errësira, tani kemi frikë nga dritat”, “Mjaft më”, “Çmimet sipas standardit” dhe pankarta të tjera mbaheshin nga protestuesit. Organizatorët e protestës ua dorëzuan kërkesat e tyre EVN-së.

“Të ulet çmimi, njësi për kv/h energji elektrike, pasi çmimet në brezat e hapur është shumëfish më i lirë se çmimi që na vjen ne. Urgjentisht të kryhet liberalizimi i tregut për të gjithë konsumatorët, pa kushtëzime distribuimi. Mos krijo kushte monopoli për distributorin aktual EVN! Kërkojmë nga EVN - Maqedoni të mos inkasojë taksa për kyçje nga konsumatori 500 euro, të ndërpresë urgjentisht anulimin e kyçjeve të vjetra, të ndërpritet vendosja e orëmatësve në hapësirat publike dhe komunikimi të bëhet në gjuhën e konsumatorit”,- tha anëtari i këshillit organizativ, Blerim Fejzuli.

Qytetarët kërkojnë që çmimi i energjisë të jetë më i ulët, pasi nuk mund ta përballojnë, sidomos gjatë periudhës së dimrit kur harxhimi është më i madh. Ata ankohen se tashmë kanë probleme edhe me kyçjen në rrjetin elektrik, pasi edhe përkundër kompletimit të dokumentacionit të kërkuar, ende shumë shtëpi të reja nuk kanë qasje në rrjetin elektrik.

“Pa rrymë qëndrojmë, rrimë me agregat, nuk e lëshojnë rrymën, kemi  bërë shtëpi të reja, nuk e lëshojnë rrymën, pa rrymë jemi”,- u shpreh një protestues.

“Të gjitha faturat i kemi paguar, nuk vijnë të lëshojnë rrymën, çmimet janë tepër të larta, 3200 denarë marr ndihmë sociale, ndërsa paguaj 5000 denarë rrymë”,- tha një protestues.

“Pesë vite jemi në procedurë me rrymën elektrike me gjitha dokumentet, nuk e vendos EVN-ja rrymën, të gjitha dokumentet i kemi, thonë se nuk kemi shtylla elektrike tek Rruga e UÇK-së, 100 shtëpi jemi pa rrymë”,- theksoi një protestues.

“Punoj në Itali. më vjen fatura, për dy muaj paguaj 30 euro, kurse këtu paguaj 90 euro në muaj”,- u shpreh një protestues.

Organizatorët i kanë dhënë kohë që deri të hënën EVN-së të përgjigjet në kërkesat që ju parashtruan, dhe nëse të njëjtat nuk plotësohen, ata theksuan se do t’u kthehen përsëri protestave javën e ardhshme. (Visar Sadiku, TVM2)