Maqedoni
Orav: Jemi partner i qeverisë
14.05.2014 17:37
Puna e diplomatit është që të bashkëpunojë me qeveritë e vendit çfarëdo qofshin ato...

Puna e diplomatit është që të bashkëpunojë me qeveritë e vendit çfarëdo qofshin ato, ne jemi partner dhe jo pjesë e formësimit të Qeverisë, andaj nuk na takon t’i këshillojmë se ç’farë duhet të bëjë Qeveria juaj, kjo çështje ka të bëjë me vullnetin tuaj se si do të donit ju të shihni Shtetin tuaj.
Kështu u shpreh ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, në ligjëratën e mbajtur në UEJL, me temën "Zgjerimi i BE-së në Evropën, gjithnjë në ndryshim".
Sipas tij, çështja e emrit nuk paraqitet më si problem i vetëm me të cilin ballafaqohet Maqedonia. Përveç çështjes së emrit, Maqedonia duhet seriozisht të punojë në luftën kundër korrupsionit, gjyqësinë dhe lirinë e mediave.
“Kur flasim për Shtetin tuaj, duket se çështja e emrit është pengesa e vetme, por ndoshta ishte kështu disa vite më parë, por sot jo. Ka shumë çështje mbi tavolinë për momentin. Çështja e emrit, diçka po duket se lëviz me Bullgarinë, por kritika ka pasur në raportin e progresit të Bashkësisë Evropiane për lirinë e mediave, gjyqësorin dhe patjetër duhet një luftë më e rreptë kundër korrupsionit”, deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, njëherit theksoi se është e vështirë të thuhet nëse do të ketë zgjerim të BE-së apo NATO-s , por sipas tij, duhet të presim rezultatin final lidhur me këtë proces.
ZEJXHANE OSMANI
