Porositë e Hahn, analistët: U kuptuan nga ata që deshën të dëgjojnë

10.02.2017 19:02

Mungesa e transparencës tek partitë politike është elementi....

Mungesa e transparencës tek partitë politike është elementi që është vënë re nga profesorët universitarë pas takimeve të komisionerit Johanes Hahn me liderët e partive politike shqiptare dhe maqedonase.

Profesori universitar, Qashif Bakiu, thotë se partitë politike taktizuan me qëndrimet e vjetra, gjithsesi me rëndësi është që partitë shqiptare i mbeten besnike deklaratave për platformën e përbashkët.

“I vetmi element i ri është deklarata e ish-kreut të PDSh-së, i cili deklaroi se veç më bisedimet për qeverinë janë kryer dhe BDI dhe VMRO taktizojnë. Sa është e saktë ajo, koha do ta tregojë. Ajo që është e rëndësishme është fakti se partitë politike shqiptare vazhdojnë të ngelen të palëvizshme në bazë të deklaratave të deritashme për platformën që e nënshkruan në Tiranë. Dhe kjo më jep mendimin se konstituimi i organit konstituiv do të jetë shumë i vështirë për faktin se secila nga partitë maqedonase, e cila do ta kapë këtë platformë, do të jetë pre e partisë tjetër”,- deklaroi profesori universitar, Qashif Bakiu.

I gjithë procesi i krijimit të qeverisë së re duhet të përshpejtohet sa më shumë që mundet, me qëllim që Maqedonia sa më shpejtë të hyjë në procesin e realizimit të reformave urgjente, vlerëson analisti politik, Albert Musliu. Sipas tij, nuk mundemi gjithmonë të presim ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.

“Subjektet politike japin qëndrimet e partive politike, jo qëndrimet shtetërore, dhe nuk mund ne t’i ftojmë partnerët tanë ndërkombëtarë që të na ndihmojnë këtu kur neve na nevojiten, ndërsa kur ajo bëhet pjesë e monitorimit të BE-së si pjesë  e procesit të anëtarësimit në strukturat euroatlantike, ajo, varësisht prej pozitës tonë të momentit, të na pengojë ose kundërshtojë”,- theksoi analisti politik, Albert Musliu.

Sipas Musliut, porosinë e komisionerit Hahn e kuptuan të gjithë ata që deshën të kuptojnë, ndërsa partive politike u ngelet vetëm që të vazhdojnë me tentimin për formim të një qeverie sa më stabile. (Sanije Duraku, TVM2)