Ivanov i ankohet komisionerit Han: Dënoni publikisht përzierjen e fqinjëve në RM, Ambasadori rus: Shtetet fqinje mos të përzihen në Maqedoni

10.02.2017 19:47

Presidenti Ivanov ka shfrytëzuar takimin me eurokomisionerin Han....

Presidenti Ivanov ka shfrytëzuar takimin me eurokomisionerin Han që të ankohet edhe për një tjetër fakt.

“Presidenti Ivanov ka shfaqur pakënaqësi nga mungesa e dënimit publik të përzierjes në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë nga ana e disa vendeve fqinje”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ivanov edhe një herë ka theksuar se tensionet në marrëdhëniet ndëretnike janë pasojë e gjendjes së stërzgjatur status-kuo në Republikën e Maqedonisë.

Të njëjtin shqetësim si Ivanov e ka shprehur edhe ambasadori rus në Maqedoni, Oleg Nikolaevich Shcherbak. Moska zyrtare është e shqetësuar për përzierjen e shteteve fqinje në Maqedoni.

“Një ndër parimet e të drejtës ndërkombëtare është që shtetet të mos përzihen në politikat e brendshme të shteteve tjera. Maqedonia tani duhet të ketë një politikë dhe Qeveri stabile dhe për këtë është e pëlqyeshme që shtetet fqinje të mos fusin duart për të ngatërruar ecjen e punëve në Maqedoni”,- ka deklaruar Shcherbak.