Gripi arriti më herët, mjekët: Mbi 33 mijë të sëmurë, këtë javë shënoi ulje

10.02.2017 19:53

Nga fillimi i sezonit të gripit në Maqedoni deri më tani janë prekur rreth 33 500 persona...

Nga fillimi i sezonit të gripit në Maqedoni deri më tani janë prekur rreth 33 500 persona, kurse dy fëmijë të moshës tre dhe katër vjeç humbën jetën për shkak komplikimeve të shkaktuara nga gripi. Në krahasim me vitin e kaluar, në Maqedoni sezoni i gripit arriti 7 javë më herët, por intensiteti i të infektuarve gjatë kësaj jave ka shënuar rënie për 53%.

“Pothuajse 7 javë më herët ka arritur virusi këtë vit, për dallim nga vitet e kaluara. Vitet e kaluara sezoni i gripit kulmin e arrinte në muajin janar dhe shkurt, por sivjet e kemi pasur më herët, por prapë sezoni i gripit do të vazhdojë edhe 15 javë. Virusi i gripit mbizotëron në muajt e dimrit, kur temperaturat shënojnë ulje, ndikon ndryshimi i temperaturave, rënia e imunitetit, të cilat janë disa nga faktorët kryesorë që ndihmojnë përhapjen e virusit H3N2”,- theksoi një mjeke.

Mjekët nuk presin ndryshime të mëdha, por ata thonë se ka mundësi që numri i të infektuarve të rritet, siç ndodhi në vitet e kaluara, ku në këtë kohë ishte kulmi i sezonit të gripit H1N1, por në fund të sezonit filloi të dominojë virusi B.

Kategoria më e rrezikuar janë fëmijët nën moshën 15-vjeçare, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)