Maqedoni
Qeveria e re, LSDM përgadit materialet e kërkuara nga BDI; Ruzhin: Eurokomesari Han caktoi vijat e kuqe të veprimit
11.02.2017 17:03
LSDM-ja e Zoran Zaev në tentativë për të grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për formimin e qeverisë...

Jozyrtarisht mësohet se socialdemokratët po përgatisin materialet me shkrim që ka kërkuar lideri I BDI-së Ali Ahmeti pa zbuluar detajet përmbajtësore. Sipas burimeve partiake dokumentacioni në fjalë së shpejti do të përfundojë në partinë e integristëve që ata javën e ardhshme të vendosin se a do të koalicionojnë me LSDM-në.
Ndërkohë që nga VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimet e vjetra në relacion me BDI-në, që partia e Ahmetit mos të shpresojë në të ardhmen në koalicionime me partinë e Gruevskit në rast se tani shkon në qeveri me LSDM-në.
Nga VMRO-DPMNE poashtu thonë se edhe qëndrimi I eurokomesarit Han ishte se BE nuk përzihet në formimin e qeverisë së re. Por përshtypja e të gjith drejtuesve të partive tjera parlamentare përveç VMRO DPMNE-së, pas takimit me komisionari Johannes Hahn ishte se Brukseli zyrtar është i interesuar që Maqedonia sa më parë të formojë Qeverinë e cila do t`u përkushtohet reformave që kërkohen edhe në raportin e Pribesë.
Nga ana tjetër analistët thonë se edhe përkundër qëndrimeve të ndryshme të partive rreth mesazhit që përcolli eurokomesari Han, synimet e tija ishin të qarta duke u’a caktuar aktorëve kryesor politik edhe vijat e kuqe të veprimit.
“Sot pas shkuarjes së tij nga Shkupi I kemi të qarta tre punë, e para se në Maqedoni nuk do të ketë zgjedhje të reja, e dyta se VMRO-DPMNE nuk guxon të bëj kurfarë trazirash nëse krijohet qeveri pa pjesëmarjen e tyre dhe e treta se do të duhet të shpejtohet me formimin e qeverisë së re, edhe pse kah fundi I vizitës tha se nevojitet edhe pak kohë për të pasur një qeveri solide. Pra kemi vija të kuqe në kuadër të së cilave mund të lëvizin protagonistët kryesor gjatë formimit të qeverisë”, tha Nano Ruzhin, analist politik.
Sipas Ruzhin zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje pasiqë ato do të shkaktonin destabilizim të sërishëm të vendit nëpërmjet tensionimit të situatës me skenare e fushata të erëta dhe harxhim parash.
MERALE ISMAILI
