Maqedoni
Han: Interes i BE-së stabiliteti dhe shteti juridik në Maqedoni
11.02.2017 17:31
Euro Komisari për zgjerim Johanes Han thotë se në interes të BE-së është që në Maqedoni të ketë stabilitet dhe zhvillim të shtetit juridik...

Në intervistë për internet edicionin e gazetës gjermane "Cajt" Han thot se BE-ja u angazhua shumë në tejkalimin e krizës në Maqedoni dhe pret që pas zgjedhjeve të lira dhe korrekte dhe rezultateve të arritura, zhvillimi i Maqedonisë të vazhdojë me proces të evolucionit.
"Interesi ynë është që Maqedonia të jetë stabile dhe të vazhdojë sundimi i shtetit juridik. Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë perspektivë evropiane. Kjo do të thotë se duhet të arrihet ndryshim në një proces evolutiv", thekson Han, i pyetur nëse ata që protestuan dy vite kundër qeverisë së ish kryeministrit Nikolla Gruevski janë dëshpruar dhe po ndjejnë se i janë lënë vetevetes nga ana e BE-së.
I pyetur nëse BE mund ta humb Ballkani Perëndimor, eurokomisari thotë se për Brukselin është më së miri atje të mos ketë trazira dhe jostabilitet, pasi kjo mund ta rrisë presionin e migrantëve nga rajoni për BE-në.
Sipas Hanit, përplasjet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit janë dëshmi për tezën e tij se edhe krahas që të gjitha vendet në rajon kanë bërë progres, kjo megjithatë nuk mjafton që të sigurohet stabilitet afatgjatë.
"Njerëzve u duhet perpsektivë, ka papunësi të lartë te të rinjtë, ka ikje të njerëzve të arsimuar dhe KE-ja duhet t'i ndalë këto procese", vlerëson Han.
Qëllimi i BE-së duhet të orientohet drejt anëtarësimit të të gjitha vendeve nga Ballkani perëndimor në BE, për shkak se rajonit vetëm pak i nevojitet të shpërthejë, vlerëson eurokomesari Han.
VLORA LATIFI TOPOJANI
