Maqedoni

Gruevski: Platforma shqiptare me kërkesa jo logjike

12.02.2017 12:06

Lideri i VRMO-së, Nikolla Gruevski, sërish ka kritikuar platformën e partive shqiptare, duke e quajtur atë të palogjikshme...

Në një intevistë për Tv NOVA, Gruevski u tregua i vendosur që të mos pranojë kushtet e partive shqiptare, e sidomos dygjuhësinë, me çmimin e daljes në opozitë.
 
“I thash BDI-së se nuk ka asnjë logjikë të ketë dygjuhësi në një vend ku shqiptarët janë 25% ndërsa maqedonasit 65%. Kjo është e dëmshme dhe shqiptarët nuk fitojnë asgjë. Shqiptarët jetojnë në pjesën perëndimore dhe kanë të drejtë ta përdorin gjuhën, këtë e kanë pasur edhe para Marrëveshjes së Ohrit, edhe pastaj. Ne gjithashtu nuk e pranuam Platformën Shqiptare që e kanë krijuar në një shtet të huaj.”  tha Gruevski duke theksuar se nuk ka mundësi të ri-negociohet për Marrëveshjen e Ohrit, gjë që sipas tij, kërkohet në Platformë sepse kjo do të sjell konflikte.
 
Në pyetjen nëse VMRO-DPMNE është e gatshme të shkojë në opozitë nëse LSDM-ja e pranon dhe nënshkruan platformën e shqiptarëve ai ishte decid që po “do të jemi opozitë” si dhe “se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij që të mos realizohen kërkesat të cilat janë jo-logjike dhe të dëmshme dhe e rrënojnë sigurinë dhe stabilitetin”.
 
“Mediat e Sorosit dhe partitë shqiptare ma kanë nxirë fytyrën para shqiptarëve. Politikanët shqiptar nga pa-aftësia e tyre më sulmojnë mua publikisht dhe thonë që VMRO nuk ka lejuar diçka të ndërtohet. Ne kemi lejuar të bëhen gjëra logjike, gjithnjë. Kam gabuar që nuk kam dalë më shpesh nëpër mediat shqiptare. Ndryshe, kam qenë shumë i mirë edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit njëjtë” tha mes tjerash Gruevski.
 
Votat e shqiptarëve, LSDM i ka marrë nga aftësia e hoxhallarëve dhe ish komandantëve që kanë shkuar nëpër fshatra, jo nga aftësia e partisë, u shpreh ai. Gruevski tha se PSP nuk ka qenë pengesë për mos formimin e Qeverisë.
 
Ai sërish kërkoi zgjedhje të parakohshme duke theksuar se ato do ta shpëtonin Maqedoninë ndërsa kërcënoi BDI-në që mos të kërkojë më principin “fituesi me fituesin” sepse “kush do ta kërkojë atë, do ta flak jashtë menjëherë nga shtabi”, tha ai. Gruevski u ankua edhe nga diplomatët, Sorosi si dhe PSP-së.