Kaliforni, urdhërohet evakuimi i mbi 130 mijë banorëve

13.02.2017 12:18

Të paktën për 130 mijë persona në veri të Kalifornisë...

Të paktën për 130 mijë persona në veri të Kalifornisë është dhënë urdhër që të evakuohen nga banesat e tyre, pasi një kanal shkarkimi në një digë të lartë është dobësuar nga shirat dhe rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

Zyrtarët thonë se kanali i shkarkimit mund të hapet nga momenti në moment dhe njerëzit janë urdhëruar të largohen.

Niveli i ujit në rezervuar është rritur pas shirave dhe dëborës të rënë kohët e fundit.

Kjo është hera e parë që liqeni Oroville ka përjetuar një emergjencë të tillë në historinë 50-vjeçare të kësaj dige. Departamenti i resurseve ujore në Kaliforni tha të dielën pasdite se niveli i shkarkimit është 2830 metra kub në sekondë. Është thënë që urdhri i evakuimit do të mbetet derisa situata të ndryshojë.