Koreja e Veriut lëshon raketën balistike, Këshilli i Sigurimit të OKB-së në takim urgjent
Koreja e Veriut ka testuar me sukses një raketë balistike...

Koreja e Veriut ka testuar me sukses një raketë balistike, me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, çfarë bëri që Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia të kërkojnë takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Raketa Pukguksong-2 është një lloj i ri i armës strategjike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore. Raketa është hedhur më 12 shkurt, “qëllimisht në një kënd më të gjerë, duke marrë në konsideratë sigurinë e vendeve fqinje”.
Sipas agjencisë KCNA, udhëheqësi, Kim Jong Un, ka qenë i pranishëm dhe ka udhëzuar nisjen.
Phenjani nuk e ka fshehur dëshirën për të zhvilluar armë bërthamore dhe ka kryer dy prova atomike dhe disa teste raketore vitin e kaluar.
Tensionet janë rritur në gadishullin korean, prej se Kim Jong Un, muajin e kaluar, tha se vendi është afër testimit të një rakete balistike interkontinentale.
Zyrtarët amerikanë thanë se kanë gjurmuar provën dhe se nuk paraqet rrezik për ShBA-në. Testimi i raketës në fundjavë ka qenë i pari i tillë nga Koreja e Veriut prej se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë detyrën dhe është parë si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Trumpit.
Gjatë një vizite në Korenë e Jugut, javën e kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se çdo përdorim i armëve bërthamore nga Koreja e Veriut do ta ketë “përgjigjen e duhur”.
Rezolutat e Kombeve të Bashkuara i ndalojnë Koresë së Veriut të kryejë prova me raketa balistike, me qëllim parandalimin e saj që të bëhet fuqi e plotë bërthamore. Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se prova raketore është “provokim i armatosur”, ndërsa Ministria e Jashtme jug-koreane tha se “provokimet e vazhdueshme të Veriut tregojnë për natyrën iracionale të regjimit të Kim Jong Unit dhe fiksimin maniak të tij për zhvillimin bërthamor”. Prova është dënuar fuqishëm edhe nga NATO-ja dhe Bashkimi Europian. (Leunora Kaliqi, TVM2)
