Zelandë e Re, 300 trupa balenash të ngordhura ende ndodhen në breg
13.02.2017 14:22
Pas katastrofës në plazhin “Golden Beach” të Zelandës së Re, autoritetet po bëhen gati të shpojnë vrima në trupat e ngordhura të 300 balenave...

Pas katastrofës në plazhin “Golden Beach” të Zelandës së Re, autoritetet po bëhen gati të shpojnë vrima në trupat e ngordhura të 300 balenave, që të mos shpërthejnë gjatë procesit të kalbjes.
Rreth 700 balena pilote javën e kaluar ngecën në breg, rreth 400 prej tyre u shpëtuan nga qindra vullnetarë gjatë fundjavës. Por, me gjithë përpjekjet, qindra balena ngordhën në breg dhe autoritetet tani po bëjnë përpjekje për pastrimin e plazheve.
"Pamja është absolutisht e tmerrshme. Vetëm mund të shohësh radhë të balenave të cilat janë të ngordhura. Mund të shihni familje të tëra, ato më të vjetrat, si dhe më të voglat gjithashtu. Të gjitha të ngordhura bashkë në plazh”,- theksoi Simon Walls nga DOC.
Trupat e ngordhur të balenave janë fryrë nga gazrat e brendshëm në mënyrë të frikshme dhe punëtorë të shumtë me veshje mbrojtëse po përpiqen të mos i lënë ato të shpërthejnë pa kontroll. Trupave të ngordhur u duhen disa muaj që të kalben dhe të shndërrohen në skelete.
"Për fat të keq, kur një balenë nxehet krijohet një presion i madh në trupin e saj dhe i vetmi opsion mbetet t’i shpërthejmë. Me lëvizjen e rrymës së oqeanit si dhe nxehtësinë e diellit gjatë ditëve të fundit, disa nga ato as nuk i ngjajnë balenave më”,- theksoi Amanda Harvey nga DOC.
Balenat që mbijetuan janë parë duke notuar 6 km larg bregut gjatë ditës së diel, ndërsa ato që ngecën në breg arritën në dy grupe, disa u përplasën të enjten, të tjerat ditën e shtunë.
Kjo dukuri nuk është e rrallë në “Golden Beach”, por shkaku i përplasjes së tyre ende nuk dihet.
Një studim i mbrojtjes se ambientit theksoi se ujërat e cekëta me baltë ngatërrojnë orientimin e peshkut të madh, duke mos i lënë hapësirë të përballet me goditje të valëve të cilat i përplasin në breg.
Balenat pilot nuk rangohen si të rrezikshme, por shumë pak dihet për popullimin e tyre në ujërat e Zelandës së Re.
LEUNORA KALIQI
