MASh: Do të punësojmë 200 psikologë e pedagogë
200 psikologë, pedagogë dhe defektologë të rinj do të punësohen në shkollat e vendit....

200 psikologë, pedagogë dhe defektologë të rinj do të punësohen në shkollat e vendit për këshillimin e prindërve dhe nxënësve, njofton “TVM2”.
Punësimet e reja kanë për qëllim përforcimin e kapacitetit të shkollave për t’u përballur me nxënësit tek të cilët vërehet sjellja e papërshtatshme, ulja e suksesit në mësime apo edhe mungesat e shtuara.
“Në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2016/2017 janë realizuar gjithsej 5176 këshilla, nga të cilat 2594 në shkollat e mesme dhe 2582 në shkollat fillore. Bëhet fjalë për një numër të këshillave dhe jo numër të prindërve dhe nxënësve, në shumë raste kemi përsëritje me të njëjtin nxënës i cili ka pasur takim me pedagogun ose psikologun”,- deklaroi zëvendësministri në MASh, Spiro Ristovski.
3380 këshilla janë realizuar për shkak të uljes së suksesit të nxënësve, 1425 këshilla për shkak të mungesave në mësime, 312 për shkak të sjelljes së papërshtatshme, ndërsa 59 këshilla kanë qenë në Qendrën për punë sociale për situata komplekse. Deri tani për të përforcuar efikasitetin e marrëdhënieve shkollë-familje janë punësuar 105 psikologë, 13 pedagogë dhe 84 defektologë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
