Maqedoni
Rasti “Kumanova”, dëshmitarë të mbrojtjes politikanët që negociuan
13.02.2017 15:47
Pas dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtur, në gjykimin e rastit “Lagja e Trimave” dëshmuan shtatë dëshmitarët e parë të palës mbrojtëse...

Pas dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtur, në gjykimin e rastit “Lagja e Trimave” dëshmuan shtatë dëshmitarët e parë të palës mbrojtëse, kryesisht persona që kanë lidhje familjare ose pune me të akuzuarit, Besnik Ajdini, Musadik Pajaziti dhe Irfan Lutfiu.
Dëshmitarët treguan se kur i kanë takuar të akuzuarit për herë të fundit dhe nëse kanë vërejtur diçka të pazakontë në sjelljen e tyre. Avokati mbrojtës thotë se dëshmitarët qartë treguan se këta tre të akuzuar nuk kanë asnjë lidhje me grupin.
“Këto dëshmi ishin shumë të qarta, si kristali. Se të akuzuarit në fjalë nuk kanë të bëjnë asgjë me akuzat, me rastin e Kumanovës dhe grupin. As nuk kanë qenë prezentë, as nuk kanë qenë të involvuar, asgjë. Kjo shihet qartë prej dëshmive të këtyre dëshmitarëve”,- deklaroi avokati, Naser Raufi.
Seanca e radhës do të mbahet të premten. Rreth 50 dëshmitarë do të ftohen në seancat gjyqësore në vijim dhe në mesin e tyre do të ketë politikanë, zërat e të cilëve dëgjohen në bisedat e përgjuara të DSK-së teksa flasin dhe negociojnë me “Grupin e Kumanovës”.
“Dëshmitarët do t’i propozojmë pas deklaratave. Pasi të flasin të gjithë të akuzuarit, lista do të jetë e përbashkët e të gjithë avokatëve, përveç këtyre dy avokatëve që tashmë praktikisht filluan me kundërshtimet e aktakuzës. A gjendet Ali Ahmeti në listë? Mendoj se po. Artan Grubi? Po. Ejup Alimi? Secili prej personave, nuk mund të them që këta kanë qenë në telefonatat e përgjuara, secili që ka marrë pjesë në telefonata të përgjuara sigurisht do të propozohet. Sadulla Duraku? Nuk mund t’ju them konkretisht, por këta persona që i përmenda do të jenë sigurisht”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Edhe në këtë seancë gjyqësore nuk munguan ankesat e të akuzuarve për sjelljen e policisë në burg.
“Njëri nga policët më tha që të mos veshi më bluzë me flamur të ShBA-së”,- denoncoi Kallaçi. I akuzuari tjetër, Esat Kafexholli, denoncoi se nuk ia lejojnë fletoret në qeli.
“Mi marrin fletoret në burg. Unë mendoj se kam të drejtë të shprehem. Gjykatësja, Verka Petrovska, u ka siguruar të akuzuarve se do të marrë masa dhe do të bisedojë me përgjegjësit e burgut. “Nuk është në kompetencën timen. Nuk e di rendin në burg. Do të bisedoj dhe do t’u japë përgjigje”,- premtoi gjykatësja Petrovska.
SANIJE DURAKU
