Maqedoni

Shoqata e Botuesve Shqiptarë: Ministria favorizon subjekte të caktuara

13.02.2017 16:14

Shoqata e Botuesve Shqiptarë kundërshton Programin botues të 2017-s, për të cilin thotë se është krijuar pa respektuar kriteret dhe vlerat e vendosura nga vetë Ministria e Kulturës...

Kryetari i kësaj Shoqate, Abdylmexhit Saliu, në një reagim me shkrim thotë se Ministria nuk ka miratuar asnjë prej kërkesave të ShBSh-së për të përfaqësuar Maqedoninë në panairet ndërkombëtare të librit, në Frankfurt, Stamboll dhe Paris. Projektet u janë ndarë Asociacionit të Botuesve Maqedonas dhe Lidhjes së Botuesve Shqiptarë. 
 
Asociacioni është një shoqatë e sapoformuar dhe me nismëtarë të diskutueshëm në aspektin e përfaqësimit të esnafit botues, ndërsa Lidhja e Botuesve Shqiptarë është shoqatë që në vazhdimësi favorizohet nga Ministria e Kulturës, thonë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
 
“Ministria vazhdon të mbështesë shtypshkronja dhe botues të panjohur, duke anashkaluar botuesit e mirëfilltë dhe duke shkelur kështu edhe kriteret e Ministrisë së Kulturës që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e veprimtarisë dhe opusin botues të shtëpive botuese aplikuese në Konkursin vjetor të Ministrisë”,- akuzojnë nga ShBSh.
 
Nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë kërkojnë anulimin e Programit botues dhe ndërkombëtar për vitin 2017.