Maqedoni
Keqpërdorimet financiare të LSDM–së, Prokuroria Publike: po hetojmë nga 2016-ta
13.02.2017 17:09
Prokuroria Publike prononcohet pas informacioneve të publikuara në media për dyshime të krimit financiar në raportet financiare të LSDM-së gjatë fushatës...

Në kumtesën e Prokurorisë thuhet se ata kanë hapur procedurë për parregullsitë zgjedhore dhe dorëzimin e raporteve të rreme financiare nga viti 2016-të.
“Prokuroria Publike vepron në mënyrë joselektuese, duke zhvilluar procedurën pa pasur lidhje me veprimet e organeve të tjera. Nuk do t’i bëjmë publike të dhënat për hetimet për të mos shkelur sekretin që e siguron ligji”,- thuhet në kumtesë.
Lënda është hapur në bazë të ankesës të një institucioni kundër dy personave, njëri person fizik organizator i fushatës dhe tjetri person juridik, i cili thuhet se ka keqpërdorur para për financim të fushatës zgjedhore.
“Në kuadër të procedurës deri më tani janë marrë veprime paraprake, është kërkuar dhe mbledhur dokumentacioni material, dëshmi relevante me shkrim, ndërsa në hapësirat e Prokurorisë Themelore Publike – Shkup janë marrë në pyetje më shumë se 70 persona dëshmitarë”, theksohet në kumtesë.
Nga Prokuroria informojnë se në momentin kur do të krijohen kushtet ligjore, do të dalin me të dhëna më konkrete. Informacionet për keqpërdorime financiare të LSDM-së gjatë fushatës u bënë publike duke u nisur nga raporti financiar i partisë së Zaevit dorëzuar deri tek Enti Shtetëror i Revizionit.
Pretendohet se socialdemokratët nuk kanë dëshmuar realisht shpenzimet për transport nëpër tubime, reklama dhe materiale propaganduese, duke shfrytëzuar paratë e një organizate.
MERAL ISMAILI
