Ekonomi

Bllokada në Evzoni, OEMVP: Problem serioz, rrezikohen marrëveshjet

13.02.2017 17:41

Kompanitë kanë filluar të ndjejnë vështirësitë e para nga bllokada dyjavore e kufirit me Greqinë në vendkalimin kufitar në Evzoni...

Nga OEMVP thonë se vazhdimi i bllokimit të vendikalimt kufitar paraqet problem serioz.
 
“Afaristëve ju paraqet problem serioz kjo bllokadë, për arsye se ju shkakton shpenzime shtesë si për transport ashtu edhe për gjetjen e alternativave tjera, siç janë portet tjera të mundura, por për ata ajo kushton kohë dhe mund të vijë deri tek ndërprerja e marrëveshjeve”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytiqi.
 
Sipas Bytyqit, investimet në infrastrukturën rrugore po edhe në atë hekurudhore kane munguar në periudhën e fundit, dhe po të kishte një sistem infrastrukturor me Shqipërinë ose Kosovën, afaristët nuk do të brengoseshin pasi do të kishin portin e Durrësit si alternativë më të mirë transportuese. Por, për momentin Porti i Selanikut është mjaft i rëndësishëm për Maqedoninë.
 
Hotelierët, ndërkohë, nuk po i vërejnë humbjet në turizëm, për faktin se bllokada ndodh në një kohë jashtë sezonit turistik. 
 
"Në vijim janë përgatitjet për sezonin e ri turistik dhe për këtë tani për tani humbjet janë minimale. Drejtpërdrejt nuk kemi kurrfarë dëmesh”,- theksoi Shoqata për hotelieri dhe turizëm pranë Odës, Asim Mexhedoviq.
 
Nga Shoqata e hotelierëve gjithsesi kërkojnë zgjidhje të shpejtë të bllokadës, sepse ajo po vështirëson degët e tjera të ekonomisë.
 
GAZMEND KURTISHI