OBSh: Tetova, në vendin e parë në Europë për nga ndotja

14.02.2017 14:02

Organizata Botërore e Shëndetësisë sërish dha alarmin....

Organizata Botërore e Shëndetësisë sërish dha alarmin për nivelin e lartë të ndotjes në rang botëror.

E përditshmja britanike “The Guardian” ka publikuar listën e qyteteve me ajër të ndotur me grimcat PM2.5 në nivel botëror, të cilat i ka klasifikuar në bazë të kontinenteve, pa përfshirë Turqinë.

Qyteti më i ndotur në botë është Zaboli i Iranit, me 217 mikrogramë të grimcave PM2.5. Në Europë vendin e parë për nga ndotja vazhdon ta mbajë Tetova, me 81 mikrogramë të grimcave PM2.5 për një metër kub.

Siç shkruan gazeta, Tetova është qyteti ku vrapimi të bën më shumë dëm sesa dobi. Qyteti i dytë më i ndotur është Tuzlla në Bosnjë e Hercegovinë, me 65 mikrogramë të grimcave PM2.5, vendin e tretë e zë sërish një qytet nga Maqedonia, Shkupi, me 45 mikrogramë të grimcave PM2.5.

Edhe vendi i tetë në listën e qyteteve më të ndotura europiane është rezervuar për Maqedoninë, e atë e zë Manastiri, ku vlera e grimcave PM2.5 arrin, sipas OBSh-së, në 40 mikrogramë për metër kub.

Nëse kësaj liste i shtohen qytetet turke, radhitja në fakt ndryshon. Tetova mbetet e para në Europë, por nëntë vendet e tjera në këtë radhitje i zënë qytetet turke.

Në vendin e dytë në botë, ndërkohë, radhiten Gualior në Indi me 176 mikrogramë PM2.5, Allahabad po në Indi me 170 mikrogramë, Rijadi në Arabinë Saudite me 156 mikrogramë dhe Al Jubail po në Arabinë Saudite me 152 mikrogramë grimca PM2.5 për metër kub. (Gazmend Rexhepi, TVM2)