14 shkurti, Dita e dashurisë dhe e ndjenjave të bukura

14.02.2017 14:13

Që në shekullin e IV, kur prifti Valentin vendos të martojë ushtarët e dashuruar....

Që në shekullin e IV, kur prifti Valentin vendos të martojë ushtarët e dashuruar, të cilëve ligji ua ndalonte martesën, 14 shkurti është kthyer në një ditë simbol të dashurisë.

Simbol i një dite kur e kemi të lejuar të shprehim hapur ndjenjat për njeriun më të afërt të zemrës. Me kalimin e viteve festa është bërë gjithnjë e më popullore, madje ka kaluar koha kur mendohej se kjo festë u takon vetëm të rinjve, sepse dashuria nuk njeh moshë.

“Unë Shën Valentinin e festoj ka 38 vite, është një festë e madhe e të dashuruarve. Është një festë ndërkombëtare”,- tha një qytetar.

Gjithsesi të rinjtë janë ata që gëzojnë më shumë. Nuk mjaftohen më si më parë vetëm me një trëndafil dhe kartolinë për këtë ditë, por i blejnë dhurata njëri-tjetrit.

“Ne të rinjtë e festojmë. Shpresoj se këtë vit do të jetë Shën Valentini më i bukur. Dhuratën e parë për këtë festë e kam marrë, është një orë dore, ndërsa unë kam dhuruar një qafore”,- theksoi një qytetar. 

“Është dita e të dashuruarve dhe e festojmë, mendoj që e feston çdo i dashuruar . Kjo do të jetë Shën Valaentini im i dytë, do të festojmë në mënyrë të thjeshtë. E kemi imagjinuar surprizën edhe dhuratën e kemi blerë, tani ka ngelur vetëm t’ia japim. Mendoj që shumë ditë duhet të jenë si Shën Valentini”,- u shpreh një qytetare. 

Dhe si çdo festë tjetër, edhe 14 shkurti është kthyer tashmë në një ditë ku tregtarët shtojnë fitimet. Punën më të madhe sot e kishin dyqanet e luleve.

“Të gjithë të dashuruarit vijnë dhe blejnë dhurata, por më shumë blihen lule dhe arinj të vegjël. Çdo vit e më shumë shtohet blerja e luleve në 14 shkurt. Dashuria nuk njeh as vite e as kufi, kështu që në dyqanin tonë vijnë që nga adoleshentët e deri tek më të moshuarit”,- deklaroi një shitës lulesh.

Edhe pse festa i ka fillimet shumë shekuj më parë, në Europë ajo festohet që nga vitet e 60-ta. Dhe edhe pse është një festë me rrënjë europiane, Amerikanët e kanë festuar që në vitin 1845, por e quajnë thjesht Dita e Valentinit.

Përkundër fillimeve fetare të shënimit të kësaj dite, 14 shkurti nuk është festë e një shenjtori, por dita  e festimit jo vetëm të dashurisë ndaj partnerit, por e të gjitha ndjenjave të bukura ndaj një personi tjetër. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)